Dëshmitari: Nuk jam i dëmtuar nga veprimet e Xhelal Hoxhës, përkundrazi e ndjej veten në borxh ndaj tij

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Gazmend Mikullovci, gjatë dhënies së dëshmisë në gjykimin ndaj të akuzuarve për fajde Xhelal Hoxha, Flamur Hoxha dhe Nuhi Hoxha, dhe të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare Hamdi Jashari, ka deklaruar se nuk e ndjen veten të dëmtuar në këtë rast.

Mikullovci, i thirrur nga ana e prokurorisë për të dëshmuar, deklaroi se nuk është dëmtuar nga veprimet e të akuzuarit Xhelal Hoxha, por është në borxh ndaj tij

Lidhur me këtë, i njëjti ka sqaruar se kishte blerë një veturë nga i akuzuari Xhelal Hoxha. “Me rastin e shitblerjes së veturës kemi përpiluar një kontratë, e cila ka përmbajtur çmimin dhe afatin e pagesës, me afat pagese prej 45 ditëve” tha dëshmitari Mikullovci.

I njëjti shpjegoi se nuk ka mundur ta kryejë pagesën për 45 ditë, për çka edhe ka kërkuar shtyrje të afatit. “Edhe sot e kësaj dite nuk e kam kthyer borxhin ndaj tyre” përfundoi Mikullovci.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 29 mars 2017, në ora 13.00, ku do të ftohen në shoqërim të policisë, dëshmitarët Mehmet Riza dhe Arben Xhilerxhiu.

Prokuroria Themelore në Prishtinë pretendon se Xhelal dhe Flamur Hoxha nga viti 2014 e tutje kanë kontraktuar dhe pranuar shumë joproporcionale të të hollave. Të njëjtit supozohet se si fajde kanë pranuar rreth 32 mijë e 800 euro nga të gjithë të dëmtuarit me të cilët kanë kontraktuar.

Ndërkaq i pandehuri Nuhi Hoxha sipas Prokurorisë Themelore supozohet se ka ndihmuar të pandehurit e lartpërmendur duke ia shtyrë pagesën e këstit të fajdesë të dëmtuarve për borxhin të cilin ata e kishin marrë nga të pandehurit.

Hamdi Jashari sipas Prokurorisë akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar pasi që duke qenë në cilësinë e policit në Stacionin Policor pretendohet se ka ndërmjetësuar në mes të pandehurit Xhelal Hoxha dhe njërit prej të dëmtuarve. Tutje, Jashari akuzohet edhe për ndihmë në fajde për veprimet e lartpërmendura.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë