Dëshmitari nga ATK: OSHP-ja është njoftuar që “Conex Group” ka bërë korrigjime në numrin e të punësuarve

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Sami Salihu, ushtrues i detyrës së Drejtorit të Departamentit të Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) u deklarua se OSHP-ja përmes postës elektronike kishte kërkuar informata lidhur me subjektin ”Conex Group”.

“Duke bërë krahasimin e të dhënave, kemi vërejtur se “Conex Group” ka korrigjuar numrin e të punësuarve dhe atë për dy periudha tatimore”, tha Salihu.

Ai shtoi se sipas Ligjit për Administratën Tatimore dhe procedurat korrigjimi është i lejueshëm dhe atë deri në gjashtë vite prapa, me përjashtim të rasteve kur ATK-ja ka filluar kontrollin apo hetimin për ndonjë rast të caktuar.

Në pyetjen e mbrojtësit të te akuzuarit Hysni Hoxha, avokati Salih Bibaj lidhur me mundësinë e qasjes në të dhënat e një subjekti me kërkesë të një subjekti tjetër, Salihu u deklarua se një gjë e tillë është e lejuar vetëm në rastet kur ekziston autorizimi i subjektit për të cilat kërkohen të dhënat. Kjo sipas tij është e rregulluar me Ligj, ku e përcakton në mënyrë shumë të qartë konfidencialitetin e informatës dhe mundësinë e përjashtimit të  saj.

Lidhur me dyshimet e avokatit Kujtim Kërveshi, mbrojtësit të Arsim Robellit, të akuzuar për “falsifikim të dokumentit” nëse ekziston origjinali i raportit tremujor për kontributet e mbajtura në burim dhe të paguara , Salihu deklaroi se lidhur me raportin në fjalë nuk  ka njohuri nëse ekzistojnë në dosjet e ATK-së, por  në kushte normale gjithmonë një kopje e origjinalit duhet të mbetet në Administratën Tatimore të Kosovës.

Në pyetjen e parashtruar nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësit Arben Hoti, Salihu shtoi se në çdo kohë kur ka ndryshim qoftë në numrin e punëtorëve apo lidhur me ngritjet dhe uljet e pagave të tyre ndikojnë në ndryshimin e lartësisë së tatimeve.

Po ashtu shtoi se në rast kur kërkohet lista me numrin e punëtorëve, ato bëhen në forma tabelore për çdo muaj, e kjo sipas tij  nuk do të thotë që duhet të jenë gjithmonë punëtorë të njëjtë për çdo muaj, pasi mund të ketë ndryshime. Salihu theksoi se edhe po të ketë ndryshime të tilla të punëtorëve në fund të tremujorit prapë mund të del numri i njëjtë siç janë deklaruar në fillim në formularët e ATK-së, pasi është e mundur që ndryshimet të sillen rreth atij numri të punëtorëve.

Tefik Sylejmani, kryesues i panelit lidhur me pretendimet ankimore të operatorit ekonomik “NN Beni Construction & Jaha Company SHPK”, i cili kishte filluar dëshminë e tij në seancën e kaluar, të mërkurën deklaroi se bashkë me pretendimet ankimore është paraqitur edhe lista e punëtorëve e atë për tre muaj, të siguruara këto nga ana e operatorit të cekur më lartë.

Sylejmani deklaroi se “Conex Group” nuk i kishte përmbushur të gjitha kriteret me vet faktin e mos përmbushjes së këtij kriteri të numrit të punëtorëve.

Ndërkaq ballafaqimin me deklaratën e dhënë në polici në shkurt të 2013 dhe atë që Sylejmani deklaroi në seancën e të mërkurës, e bëri avokati Kërveshi ku theksoi se atëbotë kishte deklaruar se për pretendimet ankimore të “NN Beni Construction & Jaha Company SHPK” ishte njoftuar përmes mjeteve të informimit, ndërsa në deklaratën e dhënë para gjykatës tha se është informuar përmes e-mailit zyrtarë të këtij operatori.

Sylejmani u deklarua se mund të ketë qenë ndonjë lëshim nga ana e policisë, pasi kishte deklaruar se fillimisht ishte njoftuar nga operatori përmes e-mailit zyrtar, pastaj këtë gjë e kishte parë edhe në mjetet e informimit.

Për këtë proces gjyqësor është bërë ndryshimi i trupit gjykus, ku gjykatësja Afërdita Bytyqi është zëvendësuar nga Elmaz Zenuni e kjo për shkaqe shëndetësore.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet me 3 tetor duke filluar në ora 13:00.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga prokurori special Admir Shala i ngarkon të pandehurit Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadri për kryerje në bashkëpunim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.  Sipas aktakuzës, këtë vepër të pandehurit e kishin kryer me 20 qershor 2013 , konkretisht Hysni Hoxha në cilësi të kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe njëherit kryetar i Panelit Shqyrtues të Prokurorimit, ndërkaq Hysni Muhadri në cilësi të ekspertit shqyrtues të OSHP-së. Sipas dispozitivit të parë, dy të pandehurit, me dashje direkte i tejkalojnë kompetencat e tyre, ku si pasojë, kompanisë së ndërtimit“Conex Group” më pronar Veton Fetahu, i sjellin dobi materiale në shumë prej 1,799,759,54 euro.Në kërë rast, operatori ekonomik “NN Beni Construction & Jaha Company SHPK” në Viti, kishte parashtruar ankesë lidhur me aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”. Hysni Hoxha si kryetar i OSHP-së edhe pse i njoftuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (më poshtë ATK) lidhur me disa të dhëna jo të favorshme për “Conex Group”, kishte fshehur para dy panelistëve tjerë këto të dhëna kruciale. Me këtë rast, paneli kishte refuzuar ankesën dhe ka urdhëruar autoritetin kontraktues për të lidhur kontratë me “Conex Group”.  Lidhur me këtë, Hysni Muhadri, si eksperti për këtë çështje, nuk ka verifikuar pretendimet e paraqitura në ankesë lidhur me numrin e punëtorëve të paraqitur në ATK nga “Conex Group” përgjatë viteve 2010, 2011 dhe 2012. Madje sipas aktakuzës ai ka përpiluar raportin në atë mënyrë që ankesa të refuzohet, duke fshehur disa informata para panelit.Në anën tjetër, aktakuza ngarkon dy të pandehurit Veton Fetahu si pronar të “Conex Group” dhe Arsim Robelli si kontabilist ekstern, se në bashkëkryerje kanë falsifikuar dokumente. Përkatësisht, të dy kanë përpiluar dhe përdorur dokumente të falsifikuara lidhur me kontributet e punëtorëve dhe numrin e tyre të paraqitur në ATK, gjë që ka kontribuar në shpalljen e “Conex Group” si fitues të tenderit nga PSHP.

Veton Fetahu poashtu ngarkohet me veprën penale “Mashtrimi” meqë sipas dispozitivit ka fshehur të dhëna, duke mos i paraqitur ato para Panelit në mënyrë që të fitoj tenderin. Ndër të tjera, i njëjti akuzohet se ka nënshkruar deklarimin nën betim si pjesë e dokumenteve të dosjes së tenderit ku ka shpalosur mbi vete përgjegjësinë penale dhe civile nëse dorëzon dokumente të gabueshme apo mashtruese. Fetahu ka bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë lidhur me veprën penale për të cilën akuzohet, marrëveshje e cila do të vlejë pas përfundim të këtij procesi gjyqësor të filluar tashmë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë