Dëshmitari në gjykimin për vrasjen e kushëririt në Sadovinë të Çerkezëve: “Nuk i kam parë veprimet e të akuzuarve sepse kam qenë brenda në një kombi”

170342093_3006252509609290_6385919681041486714_n
Author

Raporton: Teuta GASHI    

Prill 7, 2021

Gjilan – Dëshmitari Nexhat Bakiu, në gjykimin ndaj të akuzuarve për vrasje të rëndë për motive pasurore-pronësore, Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajli, si dhe të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Ermond Ismajli, ka deklaruar se nuk i ka parë veprimet e të akuzuarve ditën kritike.

“Nuk i kam parë veprimet e të akuzuarve sepse kam qenë brenda në një kombi”, deklaroi dëshmitari Bakiu, në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë dëshmisë së tij, Bakiu bëri të ditur se ai ishte thirrur për të punuar në parcelën tokësore, përkatësisht për ndërtimin e një muri rreth 150 metrash, mur ky i cili ndërtohej rreth shtëpisë së të ndjerit Muhamet Ismajli.

I njëjti deklaroi se për ndërtimin e murit ishte angazhuar nga i akuzuari Samet, duke pohuar se paraprakisht e kishte pyetur të akuzuarin nëse i kishte rregulluar gjërat për fillimin e punës.

Bakiu tha se me të marrë konfirmimin se punët mund të fillojnë, i njëjti edhe ka filluar ndërtimin e murit.

Ai tha se për të kryer punë, si fillim duhet dakorduar me marrëveshje, e pastaj mund të ndodhë që të dalin punë të tjera shtesë.

Tutje, ai tha se të akuzuarit kanë qenë në vendin e ngjarjes, por që të njëjtit nuk i njeh, duke shtuar edhe atë se as tani që po i sheh disa nga të akuzuarit në sallën e gjykimit nuk po i njeh.

“Nuk kam parë veprimet e të akuzuarve sepse kam qenë brenda në një kombi”, tha dëshmitari.

Sipas tij, në momentin kur kishte parë djalin e të akuzuarit Ismet duke e mbajtur për krahu dy persona të tjerë dhe i gjakosur në pjesën e fytyrës, aty kishte kuptuar se kishte ndodhur një rrahje.

Dëshmitari ka deklaruar se dy herë ka shkuar në vendin e ngjarjes për të punuar ashtu siç edhe i kishin thënë, edhe atë, herën e parë ai pretendon se nuk i ka ditur raportet mes dy familjeve, por herën e dytë kishte qenë në dijeni për raportet, sepse të njëjtin e kishte informuar i akuzuari Samet, ku i kishte thënë se tanimë këto raporte janë përmirësuar dhe se toka në të cilën po bëhen punimet është tokë e blerë.

“Në vendin e ngjarjes ka qenë një bager, por nuk di kush e ka vozitur, sepse nuk ka qenë bageristi jonë”, tha dëshmitari Bakiu.

Tutje, ai shtoi se përderisa kishte qenë duke qëndruar në kombi, ka dëgjuar një të moshuar teksa lëvizte në drejtim të turmës me fjalët “mosni” dhe se përveç tij, nuk ka dëgjuar dikë tjetër të ketë thënë diçka.

Punimet nuk kanë mundur të zhvillohen, sepse sipas dëshmitarit, në momentin e ndezjes së bagerit, në vendin e ngjarjes janë grumbulluar shumë njerëz, me çka është pamundësuar ndërmarrja e veprimeve.

Pas dëgjimit të dëshmitarit, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sabedin Mushica e ka caktuar seancën e radhës për 15 prill 2021, nga ora 09:30.

Ndryshe, në këtë seancë ka prezantuar prokurori Isuf Sadiku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajli, me arsyetimin se të njëjtit, me 2 maj 2019, në fshatin Sadovina e Çerkezëve, Komuna e Vitisë, me dashje dhe në bashkëkryerje, për motive pasurore-pronësore, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Muhamet Ismajli.

Sipas aktit akuzues, kjo ka ndodhur në atë mënyrë që të akuzuarit fillimisht shkojnë për të punuar në pronën kontestuese, e cila gjendet në afërsi të shtëpisë së tani të njërit Muhamet, me ç’rast ky i fundit me familjarët e tij dalin për të biseduar lidhur me arritjen e një marrëveshjeje, për çka këta të fundit refuzojnë, e që më pas vazhdojnë me fyerje të cilat sjellin eskalimin e situatës deri në konflikt fizik.

Sipas aktakuzës, të pandehurit me mjete të forta mbretëse, si drunjë dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dërmishje dhe gërvishtje lëkurore, për çka i njëjti nga familjarët transportohet në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, e më pas si rast urgjent dërgohet në Qendrën Emergjente të Spitalit Regjional në Gjilan.

Pas kësaj, sipas aktakuzës, i ndjeri transferohet në QKUK në Prishtinë, ku edhe konstatohet vdekja e tij si rezultat gjakderdhjes masive në kokë, e shkaktuar nga përdorimi i mjeteve të forta mbretëse.

Në këtë drejtim, prokuroria pretendon se të akuzuarit në fjalë kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje “vrasje e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.6 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje sipas aktit akuzues, i pandehuri Edmond Ismajli, për shkak të një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor me përdorimin e atëçastshëm të dhunës, në kohë dhe vend si në dispozitivin e parë, me dashje u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet dhe Fisnik Ismajlit, në atë mënyrë që gjatë kacafytjeve, me një lopatë i godet të dëmtuarit dhe u shkakton atyre ndrydhje të indeve, për çka akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi