Dëshmitari mungon pa arsye, shtyhet sërish gjykimi ndaj ish-rektorit të Universitetit të Prizrenit

Raporton: Floridin Osmanaj

Prizren- Për shkak se mungoi pa arsye dëshmtari Adem Sallauka, ka dështuar për të dytën herë shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj ndaj ish-rektorit të Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj, i akuzuar se ia ka mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs, të dëmtuarit Vehbi Miftari.

Lidhur me mungesën e dëshmitarit Sallauka, gjykatësi Fatmir Krasniqi tha se i njëjti e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën në seancë nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Krasniqi, ndaj dëshmitarit Sallauka do të lëshohet ftesë urgjente për seancën e radhës.

Prokurori i rastit Shahadin Destani dhe i dëmtuari Vehbi Miftari kanë qëndruar pranë kërkesës për dëgjimin e dëshmitarit Sallauka, me arsyetimin se i njëjti në kohën kur ka ndodhur rasti, ka qenë sekretar në UPZ.

Në këto rrethana, gjykatësi Krasniqi, seancën e radhës për këtë rast e ka caktuar më 5 nëntor 2021.

Ndryshe, në një vendim të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të dëmtuarit Vehbi Miftari, i është refuzuar padia si e palejueshme (pasafatshme) nga Gjykata Themelore në Prizren, të cilën padi e kishte parashtruar kundër Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, për shkak të anulimit të vendimeve që kanë rrjedhur nga i njëjti konkurs.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se padia e paditësit Vehbi Miftari është e pasafatshme, pasi që i njëjtit ankesën ndaj vendimeve nr.308, nr.prot 01-01 dhe nr.308 nr. Prot.01-02 për përzgjedhjen e Vjollca Dibrës dhe Teuta Kafegjollit, e ka bërë më 2 shkurt2017, para organit të paditurit.

Sipas arsyetimit të vendimit, i njëjti ka pasur afat 15 ditë që të vendos, por fare s’kishte vendosur, ndërsa paditësi e ka pasur afatin tjetër 30 ditor, për të parashtruar padi në gjykatë, por i cili fare nuk e kishte shfrytëzuar këtë afat pasi që padinë e ka paraqitur në gjykatë më 17 maj 2018, pra është paraqitur 1 vit e dy muaj pas afatit ligjor.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 10 maj 2020, ngarkon Ramë Vataj se nga 30 shtatori 2017 e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, duke vepruar në cilësi të rektorit të Universitetit, ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e zbaton vendimin e Sektorit të Inspeksionit të Arsimit në Prizren të datës 14 shtator 2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e datës 1 gusht 2016 me nr. të protokollit 01-236, të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë, vendim i cili në mënyrë të plotë nuk është zbatuar nga i pandehuri,

Me këtë rast, thuhet se të dëmtuarit Vehbi Miftari ia ka mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs.

Andaj, me këtë ka kryer veprën penale “Cenim i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”, nga neni 219, par1 dhe 2 të Kodit Penal, për të cilën është paraparë dënimi me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Përmes një bisede telefonike të dhënë për “Betimi për Drejtësi”, Vataj kishte deklaruar që kjo aktakuzë ishte ngritur për qëllime politike.

Tutje ai kishte deklaruar se gjatë kohës sa ishte rektor, ka marrë letra kërcënuese dhe është tentuar t’i bëhet shantazh nga Vehbi Miftari, mirëpo që këto letra do t’i bëjë publike.

Po ashtu, Vataj kishte deklaruar se nuk ka qenë përgjegjës për punësimet të cilat janë kryer në Universitet, sepse procedura ka kaluar në organe të tjera të Universitetit duke përfshirë Senatin e Universitetit, Komisionin recensues dhe në instanca të tjera të Universitetit.

Ramë Vataj ishte rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, nga viti 2014 deri në vitin 2018. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë