Dëshmitari mohon se ish-drejtoresha e Kadastrit e kishte punësuar dhe t’i ketë kërkuar të mos kryente lëndët gjeodezike në Komunë e Klinës

Raporton: Driton NOCAJ

Pejë- Dëshmitari Arianit Ndrecaj në seancën e sotme para Gjykatës së Pejës ku për keqpërdorim të pozitës zyrtare po akuzohet ish-drejtoresha e Kadastrit Njomza Grabanica, ka pasqyruar faktin se kjo e fundit nuk kishte punësuar dëshmitarin Ndrecaj në pozitën e gjeodetit në Komunën e Klinës.

Në anën tjetër, sipas Prokurorisë e ish-drejtoresha akuzohet se në mënyrë të heshtur e ka mbajtur qytetarin Arjanit Ndrecaj (dëshmitarin) në zyrë kadastrale, ku ky i fundit në cilësinë e praktikantit e me dijeninë e ish-drejtoreshës nuk kishte realizuar kërkesat e gjeodetëve  për blerjen e produkteve kadastrale.

Këtë deklarim dëshmitari e ka dhënë në seancën e së mërkurës pranë Gjykatës së Pejës gjatë përgjigjes  në pyetjet e tërthorta të mbrojtësit të pandehurës, avokatit Artan Qerkini.

Sipas këtij dëshmitari e pandehura nuk e kishte punësuar atë në Komunën e Klinës në cilësinë e gjeodetit-praktikantit dhe sipas tij, Grabanica asnjëherë nuk kishte kërkuar nga ai të mos kryente lëndët e gjeodetëve tjerë.

Të gjitha zvarritjet në kryerjen e lëndëve sipas dëshmitarit Ndrecaj ishin për shkak të mungesës së stafit të gjeodetëve në Komunën e Klinës.

“Më sa e di unë lëndët janë kryer mirëpo jo të gjitha sesa është e nevojshme brenda afatit ligjor sepse kemi pas probleme me staf”, tha dëshmitari.

Ai sqaroi para trupit gjykues se kishte pasur qasje në sistemin kadastral të Agjencionit Kadastral të Kosovës dhe kërkesa për qasje në Agjencinë, sipas dëshmitarit ishte bërë derisa kishte qenë punëtor në Komunën e Klinës.

Dëshmitari u ballafaqua edhe me pyetjet e prokurores Valbona Disha-Haxhosaj e cila kërkoi nga dëshmitari të dinte se përse disa lëndë të gjeodetëve ishin kryer kurse lëndët e të dëmtuarve nuk ishin kryer. Haxhosaj kërkoi të dinte edhe nëse lëndët për matje kadastrale a kishin filluar të kryhen para kallëzimit penal apo pas kallëzimit penal.

Sipas dëshmitari gjendja e moskryerjes efikase të lëndëve kishte ardh si pasojë e mungesës së stafit të gjeodetëve të Komunës së Klinës. Këtë gjendje dëshmitari tha se e kishte gjetur edhe në momentin kur ishte punësuar në Komunë.

“Kjo gjendje e moskryerjes së lëndëve ka qenë edhe më herët kur jam punësuar në Komunën e Klinës’’, tha dëshmitari.

Seanca e radhës u caktua më 14 shtator 2022, ku parashihet të deklarohet e pandehura dhe dhënia e fjalës përfundimtare nga palët në procedurë.

Ndryshe, në qershor  2021, e akuzuara Grabanica është deklaruar e pafajshme për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Aktakuza e ngritur në prill të vitit 2021 nga Prokuroria Themelore në Pejë, ngarkon Njomza Grabanicën se nga viti 2018 e gjerë në fund të 2020-ës, në Komunën e Klinës, në cilësinë e drejtoreshës në Drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e saj zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të përcaktuara me Ligjin mbi Vetëqeverisje Lokale dhe Statutin e Komunës së Klinës, në dëm të gjeodetëve të licencuar B.V, J.A dhe I.S nga Gjilani.

Sipas aktakuzës, e pandehura në mënyrë të heshtur e ka mbajtur qytetarin Arjanit Nrecaj në zyrë, ku ky i fundit ka punuar në këtë Drejtori në cilësinë e gjeodetit pa kontratë pune dhe pa ndonjë vendim të Komunës dhe atë nga 2 deri më 13 janar 2018 (11 ditë),  nga data 23 shkurt 2019 deri më 31 mars 2019 (37 ditë) dhe nga data 1 tetor 2019 deri më 30 qershor 2020 (9 muaj).

Gjithnjë sipas aktakuzës, e pandehura më pas, në kundërshtim me nenin 16, pika 7 të UA të MMPH, nr.12/19, e ka pajisur me autoritet zyrtar Arjanit Nrecaj, duke kërkuar nga AKK-ja t’i lejojë qasje në të dhënat zyrtare të AKK-së, e cila qasje iu ka lejuar dhe vazhduar gjerë më 11 nëntor 2020.

Sipas aktakuzës gjatë kësaj periudhe, dëshmitari Nrecaj, në cilësinë e praktikantit dhe me dijeninë e të pandehurës, jo vetëm që nuk kishte realizuar kërkesat e të dëmtuarve për blerjen e produkteve kadastrale, por i njëjti ishte ngarkuar edhe me instrumentin matës gjeodezik “ZKK-Klinë 2”, dhe me të ka pasur qasje në sistemin e pozicionimit të Kosovës (KOPOS), gjatë periudhës 2019-2020, duke përdorur këtë instrument pas orarit të punës, gjatë ditëve të fundjavës, në disa raste edhe për punë private, në kundërshtim me Udhëzimin e Administrativ të MMPH nr. 13/2019.

Për këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1, të Kodit Penal, për të cilën parashihet dënimi prej një deri tetë vite burgim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë