DËSHMITARI: LPP LEJON DEVIJIME TË VOGLA GJATË VLERËSIMIT TË NJË TENDERI

Raporton : Hyrije MEHMETI

Prishtinë – Dëshmitari Tefik Sylejmani gjatë marrjes në pyetje për rastin e njohur si “rasti i OSHP-së”, ka pohuar se Ligji për Prokurimin Publik (LPP) lejon disa devijime të vogla gjatë fazës së vlerësimit të një tenderi si të përgjegjshëm. Sipas tij, ligji parasheh që këto devijime lejohen nëse nuk shkaktojnë ndryshime materiale ose devijime nga karakteristikat, kushtet, dhe kërkesat e tjera të parashtruara në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderit. Mirëpo, lidhur me këtë, prokurori special Admir Shala, në seancën e shqyrtimit të dytë, kishte konstatuar se këto “devijime” ligjërisht kualifikohen si vepra penale.

Gjatë dhënies së dëshmisë në seancën e parë të shqyrtimit kryesor, dëshmitari Sylejmani deklaroi se në rastin konkret kishte qenë anëtar i panelit shqyrtues lidhur me vendosjen për ankesën e operatorit ekonomik “NN Beni Construction & Jaha Company Sh.p.k”. Sipas tij, vetëm pasi si panel kishin vendosur për refuzimin e ankesës së operatorit ekonomik ankues, ka kuptuar se eksperti kishte bërë verifikimin e numrit të punëtorëve në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), dhe ajo përgjigje ishte dorëzuar te kryetari i OSHP-së, Hysni Hoxha. Megjithatë, të njejtit nuk i kishin vënë në dijeni atë dhe anëtarin tjetër të panelit, tani të ndjerin Osman Kryeziu, me ç’rast kishin kërkuar rishqyrtim të vendimit, pasi siç konsideron ai, të dy kishin qenë të privuar nga provat dhe faktet e siguruara nga ATK-ja. Sipas dëshmitarit Sylejmani, ankesa e operatorit ekonomik ka qenë në rregull dhe e lejuar, sepse një i tillë nëse nuk i plotëson kushtet e kriteret e tenderit lidhur me numrin e punëtorëve, i njëjti nuk konsiderohet i përgjegjshëm. Megjithatë, në pyetjet e të akuzuarit Hysni Hoxha, dëshmitari deklaron se një ndër kriteret për dhënie të kontratës për këtë aktivitet të prokurimit është edhe çmimi më i lirë, dhe sipas të njejtit, pala ankuese me renditje ka qenë në vend të tretë ose të katërt.

Para marrjes në pyetje të dëshmitarit të parë në këtë rast, palët në procedurë dhanë fjalët hyrëse, përmes të cilave mbështetën pretendimet tyre të shfaqura më herët. Dhe meqenëse i akuzuari Veton Fetahu, në shqyrtim fillestar kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorinë, prokurori Admir Shala hoqi dorë nga dëgjimi i njëmbëdhjetë dëshmitarëve të propozuar në aktakuzë. Mirëpo, mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Sahit Bibaj, Taulant Hodaj dhe Kujtim Kërveshi, konstatuan se disa prej tyre do t’i propozojnë përsëri për t’u dëgjuar në cilësi të dëshmitarëve, pasi deklaratat e tyre kanë rëndësi për zhvillimin e këtij procesi gjyqësor.

Pasi kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Arben Hoti, kishte të caktuar një seancë tjetër, i njejti mori aktvendim që seanca e rradhës të mbahet më 7 shtator 2016, në ora 09:00, ku do të vazhdohet me marrjen në pyetje të dëshmitarit Tefik Sylejmani.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ngarkon të pandehurit Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadri për kryerje në bashkëpunim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.  Sipas aktakuzës, këtë vepër të pandehurit e kishin kryer me 20 qershor 2013 , konkretisht Hysni Hoxha në cilësi të kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe njëherit kryetar i Panelit Shqyrtues të Prokurorimit, ndërkaq Hysni Muhadri në cilësi të ekspertit shqyrtues të OSHP-së. Sipas dispozitivit të parë, dy të pandehurit, me dashje direkte i tejkalojnë kompetencat e tyre, ku si pasojë, kompanisë së ndërtimit“Conex Group” më pronar Veton Fetahu, i sjellin dobi materiale në shumë prej 1,799,759,54 euro.

Në kërë rast, orparatori ekonomik “NN Beni Construction & Jaha Company SHPK” në Viti, kishte parashtruar ankesë lidhur me aktivitetin e prokurorimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”. Hysni Hoxha si kryetar i OSHP-së edhe pse i njoftuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (më poshtë ATK) lidhur me disa të dhëna jo të favorshme për “Conex Group”, kishte fshehur para dy panelistëve tjerë këto të dhëna kruciale. Me këtë rast, paneli kishte refuzuar ankesën dhe ka urdhëruar autoritetin kontraktues për të lidhur kontratë me “Conex Group”.  Lidhur me këtë, Hysni Muhadri, si eksperti për këtë çështje, nuk ka verifikuar pretendimet e paraqitura në ankesë lidhur me numrin e punëtorëve të paraqitur në ATK nga “Conex Group” përgjatë viteve 2010, 2011 dhe 2012. Madje sipas aktakuzës ai ka përpiluar raportin në atë mënyrë që ankesa të refuzohet, duke fshehur disa informata para panelit.

Në anën tjetër, aktakuza ngarkon dy të pandehurit Veton Fetahu si pronar të “Conex Group” dhe Arsim Robelli si kontabilist ekstern, se në bashkëkryerje kanë falsifikuar dokumente. Përkatësisht, të dy kanë përpiluar dhe përdorur dokumente të falsifikuara lidhur me kontributet e punëtorëve dhe numrin e tyre të paraqitur në ATK, gjë që ka kontribuar në shpalljen e “Conex Group” si fitues të tenderit nga PSHP.
Vetoh Fatahu poashtu ngarkohet me veprën penale “Mashtrimi” meqë sipas dispozitivit ka fshehur të dhëna, duke mos i paraqitur ato para Panelit në mënyrë që të fitoj tenderin. Ndër të tjera, i njëjti akuzohet se ka nënshkruar deklarimin nën betim si pjesë e dokumenteve të dosjes së tenderit ku ka shpalosur mbi vete përgjegjësinë penale dhe civile nëse dorëzon dokumente të gabueshme apo mashtruese.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë