Dëshmitari: Kompania fituese e tenderit s’i plotësonte kriteret

Raporton: Gita LUSHI

Prishtinë – Ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, i cili akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për keqpërdorim të pozitës zyrtare, është përballur të martën me dëshminë e dy dëshmitarëve. Përfaqësuesi i koncorsiumit “C&GD.O.O &Komtel Project Engineering”, Vegim Gashi dhe  koordinatori i Njësisë për Shqyrtimin e Ankesave për Operatorët Ekonomik në OSHP, Zeqir Fetoshi, para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dëshmuan për tenderin “Instalimi i Grupeve Matëse në Kufirin në mes të KOSTT (KEK) OSSH”. Dëshmitari Zeqir Fetoshi, ekspert shqyrtues dhe koordinatori i Njësisë për shqyrtimin e ankesave për Operatorët Ekonomik në OSHP  u pyet për procedurat e përzgjedhjes së tenderëve. Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit special, HakiGecaj, dëshmitari Zeqir Fetoshi, pohoi se  kur është bërë përzgjedhja e “Monten & G3 Engineering” si fituese për tenderin “Instalimi i Grupeve Matëse në Kufirin në mes të KOSTT (KEK) OSSH”, kanë qenë të pranishëm vetëm tre anëtar të bordit e jo pesë sa është e paraparë me ligj. Dëshmitari  tjetër Vegim Gashi, para trupit gjykues të udhëhequr nga gjyqtari, Beqir Kalludra, pohoi se konzorciumi të cilin ai përfaqëson, i kishte plotësuar  të gjitha kushtet e kërkuara për këtë tender. Gashi u shpreh se kompania “NTSH Electra” kishte ofruar çmimin më të lirë se sa kompania e tij për këtë tender, dhe sipas tij kjo ishte arsyeja pse ai nuk ishte ankuar. “Kompania “NTSH Electra”ka qenë me çmim më të lirë se ne për 460 mijë euro. Për këtë përzgjedhje jemi njoftuar në mënyrë të rregullt. Ne kemi konstatuar se  ka pasur disa parregullsi por pasi çmimi ka qenë shumë më i ulët se i joni, nuk jemi ankuar”, është shprehur Gashi. Por ankesë kundër kësaj përzgjedhje, sipas tij  kishte bërë kompania “Monten& G3 Engineering, e cila ankesë ishte aprovuar nga OSHP dhe çështja ishte kthyer në rivlerësim.  Pas  rivlerësimit, sipas dëshmitarit, ishte  bërë përzgjedhja e kompanisë ankuese. Ai pohoi se edhe ndaj kësaj kompanie kanë pasur vërejtje, pasi e njëjta nuk ka qenë e përgjegjshme teknikisht dhe për këtë kishin bërë ankesë në OSHP, e cila sipas tij ishte kthyer pa u shikuar fare përmbajtja e saj. Dëshmitari Vegim Gashi pohoi se pas kësaj kompania e tij kishte paraqitur padi ndaj OSHP-së në Gjykatën  Themelore si palë e dëmtar, dhe sipas tij qëllimi i kësaj padie ka qenë anulimi i përzgjedhjes së kompanisë fituese.  Seanca  u ndërpre për shkak se kryetari i trupit gjykues ishte i caktuar në një rast tjetër dhe seanca e radhës në këtë proces gjyqësor  u caktua më 11 tetor në ora  9:00. Ndryshe, ish kreu i OSHP-së, po akuzohet se në cilësinë e kryetarit në këtë organ ka shkelur Ligjin për Prokurimin Publik, duke marrë një konkluzion/vendim se është “ResJudicata” dhe pa i shqyrtuar ankesat e operatorëve ekonomik të koncorziumeve “CaraglioSrl” dhe “NTSH Electra” dhe koncorsiumit “C&GD.O.O &Komtel Project Engineering”, i ka refuzuar ato. Këta operatorë ekonomik, kishin ushtruar ankesa kundër vendimit të autoritetit kontraktues KOSTT për tenderin “Instalimi i Grupeve Matëse në Kufirin në mes të KOSTT (KEK) OSSH”.  Sipas aktakuzës, për këtë tender, autoriteti kontraktues pas procedurës së rivlerësimit kishte shpallur fitues “Monten& G3 Engineering” edhe pse kompetent për vendosje për ankesë është Paneli Shqyrtues i OSHP-së. Kjo pasi që vlera e kontratës së nënshkruar për këtë projekt është mbi 2 milion e 300 mijë euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë