Dëshmitari jep dëshminë për procesin e vlerësimit të dëmeve në Parkun Nacional “Sharri”

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Nëpunësi i Drejtorisë për Administrimin e Parkut Nacional “Sharri”, Bekim Bytyçi, ka thënë se dëmet e prerjeve të drunjve në këtë park, bëhen në bazë të llojit të drurit dhe sasisë së prerë.

Bytyçi, ka thënë se në vendin ku vërehen drurët e prerë nga rojet, ekipi teknik shkon në vend të ngjarjes dhe shikon drunjtë nëse kanë vulën për prerje, nëse nuk kanë vulë, i konstatojnë si drunj te prerë ilegalisht dhe përpilojnë raportin.

Këto deklarata, dëshmitari, i ka bërë të martën në Gjykatën Themelore në Prizren, në gjykimin ndaj rojës së këtij parku, Fahredin Hasanagiq.

Ai ka thënë se në parkun kombëtarë “Sharri”, ka edhe prona private por që ata persona së pari bëjnë kërkesë në drejtorinë e parkut, e pastaj nëse u lejohet, mund të prenë drurë.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit, para se të fillohej me leximin e provave materiale, prokurori i çështjes, Mehdi Sefa, ka kërkuar kohë që të precizojë propozimin për leximin e provave materiale.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka pranuar kërkesën e prokurorit dhe shqyrtimin e ka shtyrë për 25 gusht 2016, në ora 13:00.

Fahredin Hasanagiq akuzohet se ka lejuar të prehen drunj, në sasi prej 170 metra kub, në terrenin ku ka pasur të përcaktuar të ruajë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri me qëllim të përfitimit material për vete dhe tjetrin, ka lejuar prerjen e drunjve, duke i shkaktuar dëm parkut në vlerë prej 53 mijë euro.

Drunjtë e konfiskuar në këtë rast, me vendim të gjykatës, janë shitur nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë