DËSHMITARI I PAARRITSHËM, SHTYHET SEANCA NDAJ NEXHAT XHAFËS

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – Të premtën në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shtyrë sërish seanca gjyqësore ndaj Nexhat Xhafës, i akuzuar për trafikim me njerëz, sulm dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, i shtyhet përsëri seanca. Në këtë seancë ka qenë e paraparë që të dëgjohet dëshmitari Adnan Podvorica. Mirëpo, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës i datës 26 janar 2016, ky dëshmitar gjendet në Angli qe dy vite. Edhe pse prokurorja Besa Krajku, qëndroj pranë propozimit që të dëgjohet ky dëshmitar, gjykata morri vendim që të lexohet deklarata e tij e dhënë në hetuesi sepse prezenca e tij nuk mund të sigurohet në afat të arsyeshëm. Sipas trupit gjykues, në mënyrë që të mos zvarritet më tej ky shqyrtim, dëshmitari Podvorica nuk do të dëgjohet dhe gjykimi do të vazhdoj me leximin e provave.

Sa i përket provave të propozuara në aktakuzën e prokurorisë, Kryetarja e trupit gjykues, Afërdita Bytyqi e njofton prokuroren që në aktakuzë nuk janë të precizuara se cilat transkripte të SMS-ve të lexohen. Poashtu, sipas saj gjykata nuk i ka pranuar nga prokuroria asnjë nga këto transkripte dhe as CD-në nga inçizimi i kamerave të sigurisë. Të njejtën gjë e deklaroj edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Skender Musa.

Lidhur me këto prova, prokurorja Krajku, deklaroj që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër në mënyrë që ajo t’i pregadisë provat dhe të shqyrtohen në seancën e rradhës. Kjo seancë e rradhës do të mbahet më 16 maj.

Ky shqyrtim po zhvillohet në bazë së aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila e ngarkon të akuzuarin me tri vepra penale. Sipas aktakuzës Nexhat Xhafa, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si polic, me qëllim që të përfitoj dobi pasurore, i’a kishte mundësuar dëmtuarës S. T kalimin ilegal të kufirit nga Shqipëria në Kosovë. Këtë e dëmtuara e kishe bërë duke e shfrytëzuar letërnjoftimin e Republikës së Kosovës të personit Sh. P., bashkëshortës së Adnan Podvoricës, i cili ishte shok i të akuzuarit Xhafa.

Po ashtu në bazë të kësaj aktakuze, Nexhat Xhafa të njëjtën ditë që e kishte sjellë S.T. në Kosovë i kishte gjetur punë, derisa i’a mbante të hollat e poashtu të njëjtën e kishte keqtrajtuar fizikisht. Të akuzuarin Xhafa e kishte denoncuar edhe e dëmtuara A.G.,të  cilën e kishte shfrytëzuar për t’i shantazhuar personat që ishin në gjendje të mirë financiarisht. Sipas aktakuzës këtë e kishte bërë në atë mënyrë që pasi e dëmtuara A.G. të binte në kontakt me të njëjtit, i akuzuari t’i fotografonte dhe t’i shantazhonte, duke u paraqitur si bashkëshorti i A.G. Në aktakuzën e prokurorisë thuhet që ndaj dy të dëmtuarave, i akuzuari Xhafa kishte ushtruar dhunë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë