Dëshmitari: Gjatë barazimeve në “Elkos” janë vërejtur që s‘janë paguar tri fatura

8 shkurt 2019
Author

Raporton: Fitore SADIKU

Shkurt 8, 2019

Ferizaj – Të premten, në Gjykatën Themelore në Ferizaj ka vazhduar gjykimi ndaj ish-punëtorëve të kompanisë “Elkos”, Lulzim Isufi, Berat Ukaj, Arben Hetemi, Burim Qeli, Nehat Islami, Besnik Luzha dhe Ramadan Dushica, të cilët akuzohen për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Në këtë seancë, dëshminë e tij e ka dhënë Bedri Gashi, i cili ka thënë se pozita e tij në kompaninë “Elkos” është shef i kalkulantëve.

Ai ka thënë se dyshimi ka nisur kur ishin bërë barazimet financiare nga të cilat kishin gjetur se tri fatura nuk ishin paguar të ardhura nga furnitori “Sole Kosova”, me arsyetimin se malli fare nuk kishte ardhur në “Elkos”.

“Barazimet që i bëjmë në fund të vitit në mes të furnitorit dhe neve ETC-së, duhet me u përputhë kartelat financiare zero-zero për shkak të këtij jo barazimi janë evidentu që tri fatura të vitit 2014  të “Sole Kosova” nuk janë kalkuluar në ETC në Ferizaj”, ka thënë dëshmitari Gashi.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Burim Qeli, avokatit Admir Salihu lidhur me atë se ai në raportin e datës 2 tetor 2014, si kishte ardhur në përfundim se depoisti Burim Qeli, e kishte falsifikuar faturën e 8 tetorit 2014, ky dëshmitar ka thënë se  kishte mospërputhje të nënshkrimeve në mes të faturës së parë dhe të dytë.

“Nga depoistat në fjalë i kemi kërkuar nënshkrimet, ku për këtë edhe nga ana e Prokurorisë së Shtetit është kërkuar ekzaminimi i nënshkrimeve, por për rezultat nuk jemi të informuar. Duke bërë krahasim në dy fatura ajo që është në Elkos dhe tjetra te furnitori, në këtë rast te “Sole Kosova”, nënshkrimi dallon në faturën e parë prej faturës së dytë. E kjo jep me kuptu se ka pas falsifikim”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, në pyetjet e radhës të avokatit Salihu, e lejuar nga gjykatësi i rastit Adem Shabani, lidhur me faturat kontestuese, dëshmitari Gashi duke shikuar në tabelat financiare në kompjuter para gjykatës  ka treguar për secilën faturë, se cili ishte ai që kishte bërë kalkulimin e të cilët janë edhe të akuzuar në këtë rast.

“Për kalkulimin nr.  552224 i datës  29 korrik 2014, kalkulimi është bërë nga Nehat Islami, kalkulimet me  nr.  552098 i datës  7 korrik 2014, kalkulimin nr.  552853 i  datës  4 gusht 2014, kalkulimin nr.  563987 e datës 22 nëntor 2014  dhe kalkulimin nr. 565471 të datës 6 dhjetor 2014  si dhe 558193, i datës 20 shtator 2014 janë bërë nga kalkulanti Burim Qeli. Ndërsa kalkulimet nr.  553380 i datës 8 gusht 2014 dhe  kalkulimin me nr. 567376, të datës 22 dhjetor 2014  janë bërë nga kalkulanti Besnik Luzha”, ka thënë dëshmitari Gashi.

Mirëpo, mbrojtësi i të akuzuarit Burim Qeli, avokatit Admir Salihu, ka thënë se klienti  i tij me kontratë prej 1 korrik 2014, nuk kishte qenë më kalkulant, por se e kishte ndërruar pozitën si  rregullues i mallit.

Dëshminë në seancën e së premtes, e ka dhënë edhe auditori  i brendshëm në “Elkos”, Ilir Lajqi, i cili tha se kishte filluar të punonte në atë pozitë që nga 1 shtatori i vitit 2014.

Ai duke u përgjigjur pyetjeve të prokurorit të rastit Valdet Avdiu, ka sqaruar se ishte pjesë e komisionit që kishte bërë analizën financiare pas dyshimit se ishin bërë keqpërdorime.

“Sa i përket të gjeturave lidhur me rastin, para se me i hy kësaj analize në kuadër të financave janë disa persona që merren me barazimin e llogarive kontabël, i bien që dikush që na ka furnizu i bien faturat e veta. Janë vërejt tre fatura të cilat kanë qenë në llogaritë kontabël të furnitorit “Sole Kosova”, por të njëjtat nuk kanë qenë të evidentuara në kartelën financiare të Elkosit”, ka thënë Lajqi

Ky dëshmitar, më tutje ka sqaruar se mospërputhje kishte në artikujt, që përmbanin kryesisht mish, e që furnizoheshin nga “Sole Kosova”, sipas tij, malli kishte shifra të ndryshme dhe nuk figuronte në librat e pranimit në “Elkos”.

Ndërsa, në pyetjen tjetër të prokurorit Avdiu se a i kishte marrë në pyetje punëtorët e dyshuar gjatë kohës së bërjes së analizës, ai ka thënë se personalisht nuk kishte bisedar me ta, por burimet njerëzore kishin marrë deklaratat nga ata që ishin të dyshuar.

Mirëpo, në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Burim Qeli, avokatit Admir Salihu se pse në kallëzimin penal nuk është përfshirë asnjë punëtor i “Sole Kosovës”, ky dëshmitar ka thënë se nuk ka përgjigje për këtë, duke shtuar se kjo nuk është detyrë e tij.

Mbrojtësi i të akuzuarit Lulzim Isufi, avokatit Jakup Ramadani, a ke pyetur atë sa ishte e saktë vlera e nxjerr nga faturat.

“Me sa di ajo vlerë prej 165.137,97 euro ka dalë nga faturat që janë evidentuar me shkelje duke shtuar se auditimin e brendshëm në Elkos nuk e bëjnë çdo vit me arsyetimin se kanë pak punëtorë në staf, por se auditimin e brendshëm e bëjnë kohë pas kohe”, ka thënë ai.

Seanca e  radhës është  caktuar më 15 shkurt 2019,  nga ora  14:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 mars 2017, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, punëtorët e kompanisë “Elkos”, Lulzim Isufi, Berat Ukaj, Arben Hetemi, Burim Qeli, Nehat Islami, Besnik Luzha dhe Ramadan Dushica, po akuzohen se nga 7 nëntori 2012, e deri më 22 shkurt 2015, në  kompaninë “ETC”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave përgjegjës gjatë ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, kishin përpiluar dokumente me përmbajtje të rreme, duke i fshehur provat kishin prezantuar qarkullimin e veprimtarisë ekonomike në mënyrë të rreme.

Sipas akuzës, ishin ndryshuar artikujt dhe vlerat e disa artikujve të faturuar, ishin kalkuluar me çmime dhe sasi të ndryshme dhe në këtë mënyrë i kishin vënë në lajthim organet drejtuese të kompanisë “ETC” në Ferizaj, me të cilin rast asaj i është shkaktuar dëm në vlerën prej 165,127.97 euro.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga neni 290 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të KPRKS-së.