DËSHMITARI DEKLARON SE SI ISHTE GODITUR ME SOPATË NGA VËLLEZËRIT NEZIRI RRETH KONFLIKTIT ME PRONA

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të mërkurën, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj vëllezërve Bajrush dhe Nezir Neziri si dhe ndaj katër të akuzuarve të tjerë Hysen Kameri, Ismet Leka, Shumzim Alija dhe Hatixhe Haziri të akuzuar për gjashtë  vepra penale  dhe atë “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, “detyrimi në formë të rënduar”, “uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshmë”, “vrasje e rëndë në tentativë”, “zjarrëvënie e rëndë” dhë veprën penale “lëndime të lehta trupore”. Në këtë shqyrtim gjyqësor ka dëshmuar Qemajl Hasani, i cili kishte qenë në vendin e ngjarjes gjatë përleshjes së vëllezërve Neziri dhe atyre Bajrami lidhur me një pronë .

Në fillim të këtij shqyrtimi prokurori i EULEX-it Romulo Mateus , kërkoi nga trupi gjykues që masa e arrestit shtëpiak ndaj dy vëllezërve Neziri, të i’u zëvendësohet më masën më të rëndë – paraburgimin për arsye sepse siç deklaroi ai menjëherë pasi kishte përfunduar shqyrtimi i kaluar gjyqësor, njëri nga vëllezërit Bajrami, kishte telefonuar në zyrën e prokurorit, dhe e kishte e njoftuar se kishin marrë përsëri një kërcënim nga vëllezërit Neziri, e që për këtë prokurori deklaroi se janë marrë masat edhe nga policia dhe janë siguruar provat me të cilat vërtetohet një gjë e tillë. Prokurori tha që “masa e arrestit shtëpiak për këta dy të akuzuar nuk është e mjaftueshme pasi që ata akoma vazhdojnë në çfarëdo forme t’i kërcënojnë vëllezërit Bajrami, dhe ata kurrë nuk do t’i lejojnë këta që të punojnë në atë pronë”, dhe sipas tij masa e paraburgimit , si masë më e rëndë do të jetë më e duhura në këtë rast.

Ndërkaq ,dëshmitari Hasani, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor në pyetjet e parashtruara nga prokurori i EULEX-IT Romulo Mateus , mbrojtësit e të akuzuarëve, si dhe nga vetë të akuzuarit lidhur me rastin që kishte ndodhur me 26 gusht 2013 , deklaroi se ai kishte shkuar me vëllezërit Bajrami që t’a pastronte pronën  për të cilën edhe zhvillohet ky proces  dhe tha që menjëherë pasi kishin dalur t’i kryejnë punët kishin vërejtur se në drejtim të tyre po afroheshin disa njerëz sipas tij rreth 15 vetë, e që menjëherë e kishin kuptuar se ishin vëllezërit Neziri me familjarët e tyre, e që të njejtit kishin me vete kishin pasur sopata, stupca dhe mjete të tjera të forta.  Pas kësaj dëshmitari tregoi  se si vëllezërit Neziri kishin filluar t’i sulmonin vëllezërit Bajrami që ishin aty Agron dhe Arian Bajrami, si dhe vetë atë me djalin e tij që ishin duke i kryer punimet aty. Ai tha se i akuzuari Nezir Neziri e kishte goditur atë me sopatë në dorë, me ç’rast edhe i kishte shkaktuar lëndime e gjithashtu personat e tjerë që ishin me ta e kishin rrahur djalin e tij Erfan Hasani, si dhe deklaroi se i akuzuari Bajrush Neziri kishte shtënë me armë në drejtim të Arian Bajramit. Dëshmitari, gjithashtu deklaroi se kamionit të tij që gjendej po në atë vend i ishte vënë zjarri , dhe atë nga vetë i akuzuari Nezir Neziri, i cili me një shishe të mbushur me benzinë e kishte djegur dhe shkatërruar kamionin.

Në këtë shqyrtim gjyqësor, kishte për të dhënë deklaratën edhe i biri i dëshmitarit paraprak, por për shkak të përfundimit të orarit të punës dhe me kërkesë të palëve i njëjti u caktua të dëgjohet në seancën e rradhës e cila do të mbahet me 27 prill 2016.

Shqyrtimi i së mërkurës, u zhvillua sipas aktakuzës së ngritur nga EULEX, sipas pikës 1 të akuzës të pandehurit Bajrush Neziri, Nezir Neziri, Ismet Leka dhe Hysein Kamberi akuzohen se kanë kryer veprën penale “pjesëmarrje ose organizim i grupit të organizuar kriminal”

Sipas pikës 2 të aktakuzës, të pandehurit Bajrush Neziri, Nezir Neziri dhe Hyesin Kamberi akuzohen për veprën penale të detyrimit të rëndë”.

Ndërsa sipas pikës 3 të aktakuzës, i pandehuri Bajrush Neziri akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Sipas pikës 4, të pandehurit Bajrush Neziri, Nezir Neziri dhe Hatixhe Haziri akuzohen për veprën penale “zjarrëvënie të rëndë” në bashkëkryerje, në kundërshtim me nenin 31 dhe 334 paragrafi 1,2 dhe 3 të Kodit Penal të Kosovës.

Pika 5 e aktakuzës akuzon të pandehurit Nezir Neziri, Bajrush Nezir, Shumzim Alija dhe Hatixhe Haziri për veprën penale “Lëndime të lehta trupore” ku sipas së cilës Nezir Nezirin për dy (2) persona të dëmtuar, Bajrush Nezirin për pesë (5) persona të dëmtuar, përderisa Shumzim Alija dhe Hatixhe Haziri secilin për nga një (1) person të dëmtuar.

Sipas pikës 6 të aktakuzës, të pandehurit Bajrush Neziri, Nezir Neziri dhe Ismet Leka akuzohen  se për veprat penale “Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme në formë të rënduar” në bashkëkryerje dhe veprën tjetër penale “Detyrim në formë të rënduar”.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë