DËSHMITARI DEKLARON SE MINISTRISË SË SHËNDETËSISË NUK I ËSHTË SHKAKTUAR DËM

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë– Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, u vazhdua me seancën gjyqësore kundër të akuzuarës Enkelejda Gjonbalaj, në të cilën seancë dëshmuan dy dëshmitarë të propozuar nga prokuroria Faik Shatri dhe Ekrem Maliqi.

Prokuroria pretendon se Enkelejda Gjonbalaj përgjatë periudhës kohore shkurt-maj 2012 në cilësinë e Drejtoreshës së Barantores Qendrore në QKUK ka keqpërdorur pozitën e saj me qëllim që të përfitojë për veten dhe për kompaninë “Global Farm” meqë ka hequr nga lista esenciale dy barna pa u konsultuar fare me onkologë përkatës, duke e zëvendësuar atë me një bar më të shtrenjtë që do të kushtonte rreth 1.154.720 euro e që përbën rreth 1/3 të buxhetit të Ministrisë së Sëndetësisë. Në këtë mënyrë mendohet që e akuzuara Gjonbalaj ka shpallur tenderin dhe atë e ka fituar operatori “Global Farm” në të cilin importues i autorizuar për këtë bar ka qenë Shqipe Gashi me të cilën Prokuroria pretendon që e akuzuara ka pasur marrëdhënie të ngushta shoqërore.

Shatri, kardiolog në QKUK në kohën kur pretendohet të jetë kryer vepra penale ka qenë anëtar i Komisionit për Hartimin e Nevojave për Barna dhe Material shpenzues për gjashtë mujorin e parë të vitit 2013. Ai deklaroi se ky komision ad hoc, përkatësisht i përkohshëm në krye të së cilit ka qenë e akuzuar Enkelejeda Gjonbalaj, ka qenë i formuar nga Drejtori i QKUK-së dhe ka pasur për detyrë që të bëj analizë dhe miratim të barnave dhe materialeve shpenzuese për komplet nevojat e QKUK-së. “Ky komision ka pasur për detyrë që të analizojë një draft propozim të hartuar nga Barnatorja Qendrore në bazë të kërkesave të njësive të QKUK-së”, tha Shatri.

Ndërkaq, në pyetjet lidhur me procedurën e tenderit kontestues, Sharpi deklaroi se nuk ka asnjë njohuri.

Përgjatë kësaj seance dëshmoi dhe Ekrem Maliqi i cili prej vitit 2004 deri në vitin 2013 ka punuar si ushtrues i detyrës në Drejtorinë e Prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë. Ai shpjegoi se procedura e tenderimit të listës esenciale të barnave fillon nga Departamenti Farmaceutik në mënyrë që i njëjti të aprovohet nga Sekretari i Përgjithshëm dhe Ministri i Shëndetësisë. Përgjatë deklaratës së tij Maliqi shpjegoi se pasi ishte bërë vlerësimi nga ana e komisionit në krye të së cilit ka qenë e akuzuara Gjonbalaj, disa mjekë onkologë kishin shpalosur shqetësimet e tyre lidhur me futjen në listë të barit “Palenocetroll” i cili nuk ishte përdorur më parë dhe ishte më i shtrenjtë se dy barnat e zëvendësuara “Ondasetron” dhe “Granisteron”. Kështu për “Palenocetrollin” është dashur të paguhet vlerë prej rreth 1.000.000 euro ndërsa për dy produktet tjera në sasi të njëjtë është dashur të paguhet rreth 70.000 euro, megjithatë dëshmitari deklaroi se nuk e dinte mënyrën e përdorimit të tyre.

“Ky shqetësim i është adresuar Gani Shabanit që në atë kohë pa qenë Sekretari i Përgjithshëm dhe Ferid Aganit- Ministrit të Shëndetësisë dhe Ministri ka kërkuar që anëtarët e komisionit të deklarohen lidhur me shqetësimet e onkologëve. Unë vetëm kam njohuri se komisioni është mbledhur dhe ka përkrahur vendimin e futjes së Palenocetrollit në listë”- deklaroi Maliqi.

Më tej Maliqi shpjegoi se Agani kishte anuluar procedurën e tenderit vetëm kur organizata joqeveritare KDI e cila në atë kohë ka monitoruar procedurën e tenderëve në Ministrinë e Shëndetësisë kishte bërë një reagim publik lidhur me këtë. Po ashtu ai ceku se lista e përpiluar nga anëtarët e komisionit nuk mund të ndryshohet pa u formuar komisioni i ri, por kjo listë nuk mund të konsiderohet si përfundimtare meqë është dashur të aprovohet nga Sekretari i Përgjithshëm dhe Ministri i Shëndetësisë.

Në pyetjen lidhur me atë se a konsideron se a i është shkaktuar dëm buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë, dëshmitari deklaroi se meqë Ministria e ka anuluar tenderin, atëherë nuk është shkaktuar dëm. Njashtu, Maliqi tha se personalisht nuk din diçka lidhur me shoqërinë mes Gjonbalaj dhe Shqipe Gashi- përfaqësuese e Global Farm.

Seanca e radhës u caktua për 13 maj 2016.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë