Dëshmitari bie në kontradiktë me deklaratën e tij në polici

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Dëshmitari Burim Boka ka rënën në kontradiktë me dëshminë e tij në polici, gjatë marrjes në pyetje, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren.

Ky person ka dëshmuar në rastin ndaj djemve të axhës së tij, Azem Bokës, i cili akuzohet për vrasje të rëndë dhe Remzi Bokës, i cili akuzohet se i ka ndihmuar Azemit.

Dëshmitari në seancë ka thënë se për rastin ka marrë vesh në lajme, ndërsa në polici kishte dëshmuar se për rastin i kishte treguar Arsimi, vëllai i tij.

Poashtu, dëshmitari Boka, fillimisht ka thënë se nuk i kishte parë të akuzuarit në ditën e ngjarjes.

Ndërsa më vonë, gjatë dëshmisë së tij, ka thënë se në ditën kritike, në mbrëmje, kur kishte shkuar në shtëpinë e xhaxhait të tij, e kishte parë të akuzuarin Remzi Boka.

Ai këto mospërputhje i ka arsyetuar me kohën e madhe që ka kaluar prej kohës së ngjarjes, e cila ka ndodhur në janar 2015.

Në këtë seancë ka dëshmuar edhe polici i njësisë teknike, Milaim Sopaj, i cili ka bërë skicën e vendit të ngjarjes.

Ky dëshmitarë ka thënë se në kohën kur ka ndodhur ngjarja, ka qenë një borë e madhe dhe kushtet atmosferike kanë qenë të rënda, andaj ka dalë tri ditë rresht për të mbledhur provat.

Sopaj, tutje ka shtuar se së bashku me kolegun e tij, ka dalë në vendin e ngjarjes për tri ditë, por kanë mundur të gjejnë ndonjë gëzhojë, por vetëm dy shufra metalike dhe njolla gjaku.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Refki Taç, ka njoftuar se personi i propozuar nga prokuroria si dëshmitar, Elvis Sinani, është kthyer nga diaspora dhe tani mund të thirret për të dëshmuar.

Prokurori i çështjes, Sefer Morina, ka propozuar që të nxirren hyrje-daljet e numrit mobil që ka poseduar i akuzuari Remzi Boka dhe raporti hartografik i numrit të tij, që të kuptohet lëvizja e tij në ditën kritike.

Kjo kërkesë ka ardhur me arsye se i akuzuari Remzi Boka, refuzon se ka qenë në vend të ngjarjes në ditën kritike.

Avokatët mbrojtës, Fitim Shporta dhe Sehat Haliti, nuk kanë kundërshtuar propozimet.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, në konsultim me dy anëtarët tjerë të trupit gjykues, ka aprovuar kërkesat dhe seancën e radhës e ka caktuar për 5 shtator 2016, në ora 13:00.

Në këtë rast, në seancën e kaluar, eksperti i balistikës, Hazir Kelmendi ka thënë se në vendin e ngjarjes janë shkrepur dy plumba.

Më njërën predhë është vrarë Flamur Boka dhe është plagosur Avni Boka, ndërsa me tjetrën është plagosur Ramadan Boka.

Rasti zhvillohet në bazë të aktakuzë së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila e ngarkon të akuzuarin Azem Boka, se me 3 janar 2016, pas mosmarrëveshjeve të mëhershme ka vrarë të ndjerin Flamur Boka.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë