DËSHMITARI BASRI REXHA KËRKON AVOKAT, SHTYHET SEANCA NË RASTIN E AKPM-SË

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën,  ishte paraparë që të mbahej seanca gjyqësore lidhur me pretendimet e prokurorisë se në Agjensionin Kosovar për Produkte Medicinale (AKPM) në vitin 2013 kishin ndodhur keqpërdorime.

Edhe pse ishin plotësuar të gjitha kushtet ligjore për mbajtjen e të njejtës, seanca u shty ngase dëshmitari i paraparë të dëgjohet përgjatë seancës, Basri Rexha, kërkoi që të angazhojë avokat të cilin nuk kishte mundësi ta bënte të mërkuën. Iniciativa për mbrojtës rezultoi pasi avokati Nikë Shala kërkoi që dëshmitari të pyetet nën betim, ngase sipas tij i njëjti kishte pasur konflikt dhe rast të hapur në polici me të mbrojturin e tij, të akuzuarin Ilir Dushi. Gjykata aprovoi kërkesën e dëshmitarit dhe seanca u shty për 19 prill në ora 09:00.

Ky proces zhvillohet sipas aktakuzës së prokurorisë, e cila pretendon se më 7 gusht 2013, në AKPM në Prishtinë, i akuzuari Ilir Dushi në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në AKPM, Haki Ejupi në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Licencimit na bashkëkryerje me të akuzuarin Bersan Kolgecin, Drejtor i Departamentit Ligjor në AKPM, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, për operatorin ekonomik Prima Pharm. Sipas Prokurorisë, i akuzuari Bersan Kolgeci, duke vendosur sipas ankesës së këtij operatori ka lëshuar rekomandimin me nr.1115/5 të datës 07.08.2013, me të cilin ka rekomanduar Drejtorin e Administratës që të bëj përgatitjen dhe t’i lëshon banderolat për barna për operatorin Prima Pharm. Këtij operatori i janë lëshuar gjithsej 435124 banderola për 18 produkte medicinale. Kështu i është mundësuar këtij subjekti që barnat e importuara nga Kina me datë 23.03.2013 t’i shpalos në treg, edhe pse nuk është dashur që ky rekomandim të lëshohet meqë të tre të pandehurit e kanë ditur që Prima Pharm nuk është pajisur me certifikatën e Praktikës së Mirë të Prodhimit (PMP).

Ndërkaq i akuzuari i katërt Edon Hajrullaga, Drejtori i operatorit ekonomik Prima Pharm, akuzohet për veprën penale Prodhim i ndaluar se pa autorizim ka prodhuar dhe shitur medikamente edhe pse nuk ka pasur të drejtë, meqë sipas ligjit mbi produktet medicinale, prodhimin e produkteve medicinale mund ta realizonte deri me datë 18.11.2012, pas së cilës datë ai ka qenë i obliguar të pajiset me certifikatë të PMP-së, ndërsa i njejti nuk ka qenë i pajisur me një certifikatë të tillë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë