Dëshmitari bashkëpunues tregon se si hetuesit e Krimeve Ekonomike kishin marrë ryshfet, thotë se ndihet sikur i kishte pre n’besë

IMG-0405 (1) (1)
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Prill 8, 2021

PrishtinëDëshmitari bashkëpunues D.H., ka treguar se si dy hetuesit e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, kishin marrë ryshfet shuma të ndryshme të parave.

Këtë deklaratë dëshmitari bashkëpunues D.H. e ka dhënë në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari bashkëpunues ka thënë se me dëshmitarin Driton Berisha, i cili sipas aktakuzës iu kishte dhënë ryshfet dy të akuzuarve, njiheshin para 2-3 viteve, pasi së bashku kishin punuar në lokale të lojërave të fatit, të akuzuarin Menxhiqi ka thënë se e kishte njohur përmes sportit, ndërsa të akuzuarin Osmani ka thënë se e kishte njohur derisa kishte dhënë deklaratë në cilësinë e dëshmitarit në një rast në Gjilan.

Ideja që t’i njoftojë dy të akuzuarit me dëshmitarin Berisha, sipas tij ka qenë e vet dëshmitarit Berisha, i cili kishte dëgjuar se D.H., kishte pasur dy shokë hetues të cilët mund t’i ndihmonin.

Ai ka thënë se më dy të akuzuarin ishte takuar në kafiterinë “Central” në Prishtinë dhe iu kishte kërkuar që ta ndihmojnë dëshmitarin Berisha i cili merrej me lojëra të fatit, por sipas dëshmitarit D.H., dy të akuzuarit nuk kishin pranuar në asnjë mënyrë, por pas insistimit të tij ishin pajtuar që të takoheshin me Berishën.

Pas kësaj, dëshmitari D.H., ka thënë se derisa kishin qenë në kafiteri me dy të akuzuarit, e kishte thirrë në telefon dëshmitarin Berisha dhe e kishte ftuar të i bashkëngjitet takimit, i cili sipas dëshmitarit për pak minuta kishte arritur në kafiteri dhe kishte biseduar ne dy të akuzuarit, ndërsa ai tha se ishte larguar derisa të tre kishin qenë duke biseduar.

“Pas takimit Dritoni më ka thënë se ju dhashë diçka shokëve tu”, ka thënë dëshmitari D.H.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni ia ka rikujtuar dëshmitarit D.H., deklaratën e dhënë në prokurori, në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues ,ku kishte deklaruar se Driton Berisha i kishte thënë se dy të akuzuarve u kishte dhënë 1,500 euro, deklarim të cilin dëshmitari D.H, nuk e ka mohuar.

Gjykatësja Hasaj-Hyseni ka vazhduar t’ia rikujtoj dëshmitarit deklaratën në fjalë, në të cilën kishte deklaruar se përsëri ishin takuar tek lokali “Central” me Driton Berishën, e pastaj ishin takuar me të akuzuarin Osmani, me të cilin kishin shkuar tek parkingu i Hotel Grand-it, e kishin marrë veturën dhe e kishin dërguar Osmanin në Rrugën B ku kishte qenë i akuzuari Menxhiqi dhe se dëshmitari Berisha i kishte thënë dëshmitarit D.H., se Menxhiqi ia kishte dhënë 3,000 euro.

“Po është e vërtetë”, ka deklaruar dëshmitari bashkëpunues D.H.

Përpos tjerash, në këtë deklaratë dëshmitari D.H, kishte deklaruar se dy të akuzuarit i kishin thënë që sa herë t’i merr paratë nga ata, t’i ndërrojnë, por sipas tij, dy të akuzuarit nuk i kishin thënë që t’i ndërrojë paratë por personi me emrin “Mentor”, por sipas tij, edhe pse në deklaratë thuhet se ia kishin dhënë të akuzuarit, ai në kohën e dhënies së kësaj deklarate nuk kishte qenë në gjendje të mirë.

Por i pyetur se a kishte pasur presion gjatë dhënies së kësaj deklarate, dëshmitari është përgjigjur se nuk kishte pasur presion nga askush.

Gjykatësja Hasaj-Hyseni ka vazhduar t’ia rikujtoj deklaratën në fjalë dhe e ka pyetur dëshmitarin se a ishte i vërtetë deklarimi i tij se gjatë rrugës kur i kishte ndërruar paratë, kishte menduar se kishte qenë vlera 2,000 euro, por kur i kishte numëruar i akuzuari Menxhiqi kishin rezultuar se janë vetëm 1,500 dhe se i akuzuari Menxhiqi i kishte thënë që ta thërras Driton Berishën e t’i tregojë se ishin 500 euro më pak.

Lidhur me këtë, dëshmitari ka thënë se vlera prej 500 euro i kishte humbur dhe se nuk e kishte telefonuar Driton Berishën, për shkak se i kishte ardhur turp ti tregojë se i kishin humbur paratë.

“Kam qenë i tradhtuar prej ditës së parë prej Dritonit, se ai me qellim e ka aranzhuar këtë takim, ndihem shumë keq ndaj dy zyrtarëve, sikur me i pre n’besë”, ka thënë në fund dëshmitari D.H.

Deklaratën e këtij dëshmitari e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarit Menxhiqi, avokati Skender Musa, pasi sipas tij, në kohën kur D.H. ishte caktuar si dëshmitar bashkëpunues, i njëjti kishte pasur rast tragjik në familje dhe për këtë arsye sipas tij, prokuroria dhe gjyqtari i procedurës paraprake ishin dashur që të njëjtin ta dërgojnë në institutin e neuropsikiatrisë për të përcaktuar gjendjen e tij.

Sipas tij, gjatë këtij procesi gjyqësor dëshmitari disa herë kishte përsëritur se nuk ka qenë në gjendje të dijë se çfarë kishte deklaruar.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Osmani, Sokol Mushkolaj ka paraqitur vërejtje në deklaratën e dëshmitarit D.H., në kuptim të mbrojtjes.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit bashkëpunues D.H., prokurori Rafet Halimi është tërhequr nga propozimi i dhënë në seancën e 26 marsit 2021, që dëshmitarit D.H., t’i hiqet statusi i dëshmitarit bashkëpunues, pasi sipas prokurorit ai këtë deklaratë e kishte dhënë në mënyrë të bindur.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 27 prill 2021, në ora 13:10

Sipas aktakuzës së përpiluar me 30 qershor 2020, Osmani dhe Menxhiqi, në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishin pranuar ryshfet.

Siç përshkruhet në aktakuzë, të akuzuarit paraprakisht ishin takuar në kafiterinë  “Central”, me D.H dhe kishin arritur marrëveshje, që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit, ku posa kishin dalë nga kafiteria dhe kishin shkuar afër Gjykatës Kushtetuese, ishin takuar me Driton Berishën dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1,500 euro, në prezencë të D.H.

Tutje në aktakuzë thuhet se me 26 nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, dy të akuzuarit kishin pranuar ryshfet, në atë mënyrë që paraprakisht i akuzuari Menxhiqi e kishte organizuar takimin duke i kërkuar të akuzuarit Osmani që të takohet me D.H., i cili ishte takuar me Driton Berishën dhe D.H në lokalin “Central”, derisa me veturë e kishin dërguar tek banesa e tij, e më pas Berisha ia kishte dhënë 3,000 euro Osmanit, me qëllim që të mos pengojnë veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.

Sipas aktakuzës, ky ryshfet ishte ndarë në mes të akuzuarve në dy pjesë nga 1,250 euro, ndërsa 500 euro ia kishin dërguar kolegut të tyre Faton Zabergja për një rast tragjik që i kishte ndodhur.

Osmani po dyshohet edhe se me 9 janar 2020, në rrugën C, në Prishtinë, nga dëshmitari bashkëpunues D.H., kishte pranuar 3,000 euro ryshfet, para të cilat dëshmitari Mentor Maqani, në restorant “Marigona”, afër QMI-së, ia kishte dorëzuar dëshmitarit bashkëpunues D.H.

Po ashtu, me 5 shkurt 2020, Osmani po dyshohet se në “Mati 1”, në Prishtinë, nën masat e simulimit të  veprës penale të korrupsionit, paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani ia kishte dorëzuar paratë prej 3,000 euro dëshmitarit  D.H., pastaj ky i fundit ishte nisur menjëherë dhe gjatë rrugës një pjesë të kartëmonedhave i kishte ndërruar, 1,300 euro ia kishte dorëzuar Osmanit dhe të tjerat i kishte ndalë për vete, ndërsa Osmani ishte arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe në xhepin e tij ishin gjetur paratë të cilat ishin nën masën e simulimit.

Menxhiqi po dyshohet se me 4 dhjetor 2019, pasi ishin marr vesh paraprakisht në një takim në fillim të muajit nëntor 2019 në Prishtinë, afër kafiterisë “Central”, me dëshmitarin Driton Berishën dhe D.H, për t’i njoftuar për aksionet e policisë, i kishte dërguar informata dëshmitarit D.H me qëllim që të përfitojë dobi pasurore.

Këtë thuhet se e kishte bërë me 4 dhjetor 2019, kur dëshmitari D.H., i kishte kërkuar informata nëse kishte filluar ndonjë kontroll nga policia ndaj lojërave të fatit, Menxhiqi përmes rrjetit “Viber”, i kishte dërguar mesazh D.H., duke e njoftuar se policia kishte filluar kontrollin në Fushë Kosovë duke i shkruar: ”D po dal vet, po kqyri se si i Fushë Kosovës pom doket paska hi s’ju kishin dhan kompetencë edhe stacioneve mo me hi në do raste tani i dorëzojnë te na, po unë po nisna menjëherë po kqyri çka ka”.

Menxhiqi po akuzohet edhe se me 5 shkurt 2020, në fshatin Stanoc i Poshtëm, Komuna e Vushtrrisë,  në shtëpinë e tij, gjatë kontrollit sipas urdhër kontrollit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe zbatuar nga IPK, ishin gjetur armë automatike të zjarrit, 2 pushkë automatike AK-47, me dy karikatorë dhe të gjitha ishin konfiskuar nga IPK-ja.

Për këto veprime, prokuroria dy të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “marrje ryshfeti”, ndërsa Menxhiqin po e ngarkon edhe me veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndryshe në aktakuzë, prokuroria kishte propozuar që të pandehurve tu ndalohet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike pas mbajtjes së dënimit me burgim, të konfiskohen 9,000 euro të gjetura në shtëpinë e të pandehurit Menxhiqi dhe ato të gjetura në xhepin e Lavdim Osmanit në vlerë prej 1,300.00 euro gjatë arrestimit.

Gjithashtu, prokuroria ka propozuar që të konfiskohen paratë e dëshmitarit bashkëpunues, D.H në vlerë prej 4,339,43 euro dhe 48-.00 FR, edhe pse sipas prokurorisë, D.H., kishte qenë i pandehur, mirëpo me urdhër të gjykatës kishte marrë cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues, ka bazë të mjaftueshme që vërtetohet se gjatë pranimit dhe dorëzimit të ryshfetit paratë e veta personale i ka ndërruar me paratë  të cilat kanë qenë të destinuara për ryshfet.

Sipas prokurorisë, për këtë me nenin 281 është paraparë se edhe pse procedura penale nuk përfundon me aktgjykim me të cilën i akuzuari shpallet fajtor, (ku në këtë rast Kodi i Procedurës Penale i referohet Kodit Penal të Kosovës që ka qenë në fuqi në atë kohë, mirëpo me Kodin e ri Penal i miratuar me 13 dhjetor 2018, i referohej nenit 422), sendet e fituara me vepër penale nga neni 429 të KPRK-së, e që ka të bëjë me dhënien e ryshfetit, të konfiskohen. /BetimipërDrejtësi