Dëshmitari Aza: Nuk kam marr subvencione në kohën për të cilën akuzohet Gani Rama

Raporton: Adem Krasniqi

Gjakovë – Në Gjykatën Themelore në Gjakovë u mbajt shqyrtimi kryesor kundër zyrtarit për financa në  Komunën e Gjakovës Gani Rama, i akuzuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i prokurorisë speciale Faik Halili dhe deklarimit të të pandehurit Gani Rama i pafajshëm, u morë në pyetje njëri nga tre dëshmitarët e ftuar, Agim Aza. Dëshmitari Lon Kukeli nuk prezentoi në seancë edhe pse sipas gjyqtarit Shaqir Zika ishte ftuar me ftesë të rregullt dhe dëshmitari tjetër Natal Rracaj sipas policisë, kishte ndërruar jetë.

Mbrojtja e të akuzuarit Rama, avokati Ndrec Dodaj tha se dëshmitarët e ftuar nga prokuroria nuk kanë lidhje me këtë aktakuzë dhe, siç tha ai të njëjtit nuk do të jenë aspak të vlefshëm për shqyrtimet gjyqësore.

Dëshmitari Agim Aza tha se nuk e di pse e kishin thirrur të dëshmoj pasi që sipas tij në kohën për të cilën po akuzohet i pandehuri Rama, ai nuk kishte marrë kurrfarë subvencioni nga Komuna e Gjakovës. Në pyetjen e prokurorit Halili se a ka marrë ndihma në formë subvencioni nga Komuna e Gjakovës ndonjëherë, ai tha se vetëm dy – tri vjet pas luftës kishte marrë një thes me misër dhe një thes pleh dhe asgjë tjetër. Ai gjithashtu shtoi se tetë – nëntë vitet e fundit nuk ka mbjellë asgjë në arën e tij dhe si pasojë nuk kishte pasur nevojë për ndihma nga Komuna.

Pasi që përfundoi orari i punës, gjyqtari Zika e ndërpreu seancën për të vazhduar më 29 dhe 30 shtator 2016, në ora 10:15, me marrjen në pyetje të dëshmitarëve tjerë.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore 2008 – 2012, Gani Rama, në cilësinë e personit zyrtarë financiar në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, apo që t’i shkaktoj dëme personit tjetër. Ai kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare, lidhur me pagesat që i janë bërë biznesit “DPT Union-vl” me pronar Veli Hajdarga, për shpërndarjen e subvencioneve pa asnjë procedurë, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta, ku shuma e keqpërdorur nga i pandehuri dhe të tjerët pretendohet të jetë  218.956.67 euro.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë