Dëshmitari Avni Mazreku: Basri Mujës i kam dhënë më shumë se 20.000 euro hua, ryshfet nuk i kam dhënë, por jam ndëshkuar me mosakreditim të programeve në ISPE

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – Në gjykimin kundër Basri Mujës, Ferdije Zhushit dhe të tjerëve, ka dhënë dëshminë pronari i Kolegjit ISPE, Avni Mazreku. Gjatë dëshmisë së tij, ai pohoi se ish-drejtorit të Agjencionit Kosovare të Akreditimit, Basri Mujës, i ka dhënë si hua mbi 20 mijë euro. Edhe pse dëshmitari pohoi se Muja i ka kërkuar disa herë ryshfet, këto para sipas tij nuk u dhanë në emër të ryshfetit, por i janë dhënë si hua. Mirëpo, kjo hua sipas tij asnjëherë nuk u kthye. “Shumat e kërkuara nga Muja në emër të ryshfetit unë s’i kam paguar asnjëherë dhe si ndëshkim ka ardhur mos akreditimi për programet respektive të ISPE-së”, tha Mazreku. Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori i çështjes, Avni Mazreku shtoi që paratë në formë të huadhënies i ka dorëzuar në tri periudha të ndryshme. “Masanej në formë të huadhënies i kam dhënë në tri raste para në shkurt, mars dhe prill 2013. Vlerat që i ka kërkuar kanë qenë shumë më të larta por i kam dhënë shuma më të vogla. Shuma e përgjithshme që ia kam dhënë ka qenë mbi 20.000 euro”, u shpreh Mazreku.

Ndër të tjerash ai shtoi që përveç se i ka dhënë hua të akuzuarit Basi Mujës, ai u detyrua edhe të punësoj gruan e Mujës në kolegjin ISPE. Sipas tij, si shkak i presionit të bërë nga Muja, ai u detyrua që të ja punësoj gruan si ligjëruese të gjuhës gjermane.

Sa i përket të akuzuarës Ferdije Zhushi, e cila po akuzohet si Kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), Mazreku tha që e njëjta kishte bashkëpunuar me Mujën sa i përket ryshfetit. Ky konstatim i tij, vjen si pasojë e një takimi që kishte ndodhur në një restoran të Prishtinës, në mes të tij, Basri Mujës dhe Ferdije Zhushit. Mazreku pohoi para trupit gjykues që kishte pasur biseda të tensionuara gjatë këtij takimi. “Avnia duhet të ndëshkohet sepse s’po ja bon hyzmetin” ishin fjalët e Basri Mujës sipas Avni Mazrekut në këtë takim. Ndërkaq, Mazreku tha që Zhushi u përgjigj duke thënë që duhet të shtohen masat e presionit ndaj tij. “K’ta e kena përkdhelë shumë. Duhet m’i shtu masat e presionit ndaj tij”, ishte përgjigjur Zhushi sipas dëshmitarit Avni Mazreku.

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, dëshmitari Avni Mazreku tha se kishte pasur vazhdimisht presione nga Basri Muja, duke e kushtëzuar me ryshfet për dhënien e akreditimit për programet e kolegjit ISPE. Mazreku para Gjykatës Themelore në Prishtinë, tha se i akuzuari Muja në fillim kishte kërkuar që të jetë bashkë-pronar i kolegjit dhe fitimi të ndahet në gjysmë, por nga mosrealizimi i kësaj kërkese, ai kishte kërkuar fillimisht 10 mijë euro e më vonë 20 mijë euro ryshfet.

Drejtori i Kolegjit ISPE, Avni Mazreku paraqet palën e dëmtuar në këtë shqyrtim gjyqësor, i cili është duke u dëgjuar në cilësi të dëshmitarit. Marrja në pyetje ndaj tij nga pala mbrojtëse do të vazhdoj në seancën e radhës e cila pritet të mbahet më 4 nëntor të këtij viti.

Deri më tash në këtë shqyrtim gjyqësor, palët kanë prezantuar fjalët hyrëse, ndërkaq Mazreku është dëshmitari i parë që po merret në pyetje.

Në këtë shqyrtim gjyqësor u diskutua poashtu çështja e vjetërsimit të veprave penale për dy të akuzuar. Avokati Ibrahim Dobruna, tha që për veprën në të cilën akuzohet i mbrojturi i tij, Naim Braha ka arritur parashkrimi absolut prandaj kërkoi që të merret aktgjykim refuzues ndaj tij. Një kërkesë të tillë për të akuzuarin Armend Muja, parashtroi edhe avokati Ramë Gashi, i cili pretendoi që ndaj klientit të tij është parashkruar vepra penale për të cilën vazhdon të akuzohet.

Mirëpo, prokurori i çështjes tha që sipas aktakuzës parashkrimi nuk ka arritur ende për asnjërin nga të akuzuarit. Megjithatë mbetet që për seancën e radhës, prokurori të rishikoj dhe vërtetoj datat se kur kanë ndodhur veprat penale sipas aktakuzës, në mënyrë që të dihet se a ka parashkrim apo jo.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon Basri Mujën, Ferdije Zhushi – Etemin dhe Armend Mujën për shpërdorim të pozitës zyrtare, me pretendimin se i kanë shkaktuar dëm në shumën prej 2,500.000 euro, kolegjit “Biomedica” për akreditimin e katër programeve. Tutje sipas aktakuzës i akuzuari Basri Muja për mos tërheqje të akreditimit për kolegjin në fjalë, ka kërkuar 50.000.00 euro për vitin e parë, 150.000.00 për vitin e dytë, ndërsa për vitin e tretë 50:50 nga fitimi.

Prokuroria pretendon se të pandehurit Basri Muja dhe Ferdije Zhushi i kanë shkaktuar dëm edhe Kolegjit “ISPE”, në atë mënyrë që kanë kërkuar përfitim me të holla për akreditimin e programeve. Në fillim kanë kërkuar përfitim prej 10.000.00 euro për një program, ndërkaq gjatë vitit 2011 kanë kërkuar shumën prej 20.000.00 eurove.

Më pas bazuar në aktakuzë, të njëjtit në bashkëkryerje ngarkohen edhe për marrje ryshfeti, meqenëse për akreditimin e programeve të Kolegjit “Universum” kanë përfituar shumën prej 35.000.00 euro.

Aktakuza e ngarkon edhe të pandehurin Naim Braha, aksionar në Kolegjin “Vizioni për arsim” në Ferizaj, për dhënie ryshfeti, pasi që për akreditimin e dy programeve i ka dhënë 10.000.00 euro të pandehurit Basri Mujës.

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë