DËSHMITARI AHMET ZEJNULLAHU KËRKON TË MERREN MASA LIGJORE NDAJ PUNËTORËVE TË APK-SË QË KANË DHËNË DËSHMI KONTRADIKTORE

Raporton: Valdet HAJDINI

Pejë –  Ahmet Zejnullahu, Drejtor i Agjencisë Pyjore të Kosovës, ka dëshmuar në shqyrtimin gjyqësor kundër Arif Demhasaj i akuzuar për veprën penale ‘shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit’ dhe Avni Sinanaj e Latif Tahiruka të akuzuar për veprën penale ‘keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi’.

Gjatë dëshmisë së tij, Zejnullahu kërkoi nga prokuroria dhe gjykata që të marrin masat ligjore kundër punëtorëve të APK-së, të cilët në këtë gjykim në cilësi të dëshmitarëve kanë dhënë deklaratë të kundërt, me vendimet dhe raportet zyrtare të APK-së.

Zejnullahu tha se çështja e dhënies së tenderëve për pastrimin dhe prerjen e pyjeve, është në kompetencë të Autoritetit Komunal, e jo në kompetencë të APK-së.

Tutje, dëshmitari Zejnullahu tha se para nënshkrimit të kontratës, operatori ekonomik njoftohet me ngastrën dhe masën drunore që duhet të prehet, ndërsa pastaj i njejti është kompetent për të gjitha dëmet që bëhen në atë ngastër. “Agjencia Pyjore e Kosovës ka krijuar komisione të veçanta për vlerësimin e gjendjes reale të pyjeve, pasi ka pasur dyshime për prerje ilegale të drunjëve, edhe nga vet operatorët ekonomik” tha dëshmitari Ahmet Zejnullahu. Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores së rastit Sahide Gashi, se cilat kanë qenë të gjeturat e komisioneve, dëshmitari Zejnullahu tha se në total janë gjetur mbi 3000m3 prerje ilegale të pyjeve.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 16 shtator 2016, me fillim prej orës 10.00.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Arif Demhasaj gjatë periudhës shtator 2011 – gusht 2012, si person zyrtar-pylltar i APK-së, me qëllim të përfitimit për tjetrin ka shkelur Ligjin për Pyjet dhe Udhëzimin Administrativ nr. 06/2010. Me veprimet e tij, u ka mundësuar operatorëve ekonomik “Tini-S”, “Bimi-T” dhe Diti-T’, prerjen ilegale të pyjeve dhe tejkalimin e prerjes së drunjëve nga kontrata për pastrimin e pyjeve në ngastrat e caktuara. Akuza e ngarkon të pandehurin Avni Sinanaj se në periudhën shtator 2011 – gusht 2012, si person përgjegjës i operatorit ekonomik “Tini-S”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, ka shkelur Ligjin për Pyjet dhe Udhëzimin Administrativ nr. 06/2010. Ky operator ka prerë ilegalisht masë drunore në vëllim prej 120,84m3. Sipas akuzës, i pandehuri Latif Tahiruka në periudhën nëntor 2011 – gusht 2012, si person përgjegjës i operatorit ekonomik “Bimi-T”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, ka shkelur Ligjin për Pyjet dhe Udhëzimin Administrativ nr. 06/2010. Ky operator ka prerë ilegalisht masë drunore në vëllim prej 78,35m3.

I akuzuar në këtë akt akuzues ka qenë edhe Isni Ibërhysaj, por ndaj të cilit është veçuar lënda, pasi që vendqëndrimi i të njejtit është i panjofshëm për organet e rendit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë