Dëshmitarët thonë se toka kontestuese është e paditësve kurse i padituri asnjëherë s’e ka punuar atë

Raporton: Blerim JAKUPI

Kamenicë – Dëshmitarët Q.H. dhe M.H., kanë thënë se ngasta kontestuese kadastrale me sipërfaqe prej 1 mijë e 800 metra katror, e cila gjendet në fshatin Koretin të Komunës së Kamenicës, në vendin e quajtur “Smordan”, është e paditësve I.H. dhe Xh.H.

Gjithashtu, ata kanë thënë se i padituri Xh.F., asnjëherë nuk e ka punuar këtë tokë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një deklarim të tillë, dy dëshmitarët Q.H. dhe M.H., e kanë dhënë të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë.

Dëshmitari Q.H., duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të paditësve, avokatit Lulzim Canaj, dhe mbrojtësit të të paditurit, avokatit Mustafë Musa, ka deklaruar se dy palët, paditësit dhe të paditurin i ka kusherinjë.

Ai ka thënë se toka e cila gjendet në vendin e quajtur “Smordan” është në fshatin Koretin dhe kjo parcelë me sipërfaqe prej 18 ari është e I.H. dhe I.H.

“I padituri A.H., nuk ka asnjë pjesë në ktë parcelë”, ka thënë dëshmitari Q.H.

Ai ka deklaruar se këtë parcelë prej 18 ari e kanë trashëguar I. dhe I.H nga babai i tyre kur e kanë ndarë pasurinë.

“Unë e kam arën time në mexh me parcelën kontestuese. Këtë tokë e ka punu I. qe 47 vjet a 48”, A.H. kurrë se ka punu atë tokë”, deklaroi dëshmitari.

Ai ka thënë se nuk e dinë saktësisht se në cilin vit familja e H.H,. janë ndarë.

“Unë kam dëgjuar që parcela prej 18 ari që është kontestuese me rastin e ndarjes të familjes H.H., i ka takuar I.H”, përfundoi dëshminë e tij, dëshmitari Q.H.

Edhe dëshmitari tjetër, M.H., ka deklaruar se toka kontestuese u takon paditësve.

Ai ka thënë se nuk e dinë saktësisht se H.H. se cilat toka ua ka ndarë djemve të tyre.

Tutje, ai ka thënë se parcelën prej 18 ari që është kontestuese e që gjendet te livadhet afër fshatit Berivojcë, e punon I.H. dhe S.H.

“Unë  nuk e kam pa Xh.H. duke e punuar këtë parcelë kontestuese”, ka thënë dëshmitari M.H.

Gjykatësi Artan Abazi, seancën tjetër për këtë rast e ka caktuar të mbahet më 20 korrik 2022

I.H. dhe S.H., më 22 shkurt 2016, kanë paditur Xh.F., me arsyetimin se ata janë pronarë faktik të ngastrës kadastrale numër P-71107040-00334-1 tek vendi i quajtur “Smordan” në sipërfaqe prej 1 mijë e 800 metra katror, e cila në DPKGj, Zyrën Komunale Kadastrale në Kamenicë, është e regjistruar vetëm formalisht në emër të Xh.F.

Në padi thuhet se i padituri ka paraqitur një shqetësim tek paditësit, duke pretenduar për të përvetësuar këtë pronë bazuar vetëm në certifikatën pronësore, kurse gjendja faktike tregon se kjo pronë është shfrytëzuar me vite të tëra nga ana e paditësve dhe se këtë asnjëherë nuk e ka shfrytëzuar i padituri.

Tutje, në padi thuhet se paditësi I.H., për të gëzuar një benefit – shtesa të fëmijëve nga ish-puna si arsimtar në shkollë fillore, është dashur të mos ketë pasuri të bollshme të paluajtshme dhe për këtë arsye prona kontestuese është regjistruar në emër të paditurit Xh.H.

Andaj, paditësit I.H. dhe S.H., po kërkojnë nga gjykata që atyre t’ua njohë të drejtën e pronësisë në këtë ngastër kadastrale, dhe e njëjta pronë të regjistrohet në Zyrën Komunale Kadastrale në emër të paditësve. /BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë