Dëshmitarët thonë se punëtori i Postës në Malishevë nuk e ka keqpërdorur detyrën zyrtare

Sahit Hoti (1)
Author

Raporton: Dhurata RAMOJA

Gusht 2, 2018

Gjakovë – Punëtori i Postës në Malishevë, Lulëzim Krasniqi, ka deklaruar se kolegu i tij, tani i akuzuari Sahit Hoti, nuk e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

Hoti, akuzohet se kishte vonuar dorëzimin e një dokumenti në Gjykatën Themelore në Prizren, me çka debitorit Naim Sopaj, i ishte pamundësuar prapësimi i urdhrit përmbarimor.

Kolegu i të akuzuarit Hoti, Lulëzim Krasniqi, lidhur me këtë rast, ka dhënë dëshminë e tij, të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Duke u përgjigjur në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Gëzim Pozhegu, dëshmitari ka deklaruar se i akuzuari Hoti, nuk ka bërë asnjë shkelje lidhur me dërgimin e postës nga Malisheva në Prishtinë.

“Ne kemi rregulloren e brendshme ku është cekur mënyra dhe afati i dërgimit të dërgesave, por në këtë rast edhe sikur të jetë dorëzuar dërgesa nga ana e të akuzuarit te kartuesi Smajl Telaku, e njëjta dërgesë nuk do t’i përcillej palës deri ditën e hënë”, ka thënë dëshmitari Krasniqi.

Në seancën e së enjtes, e ka dhënë dëshminë e tij edhe dëshmitari Ismajl Telaku, i cili është punëtor i Telekomit të Kosovës, që gjendet në të njëjtin objekt me atë të Postës në Malishevë.

Ai është pyetur lidhur me datën 19 shtator 2017, që është vendosur në vulë, pasi që i dëmtuari Sopaj, thotë se dokumentin e ka dorëzuar me datën 15, derisa afati i fundit për dorëzimin e shkresës ka qenë më 18 shtator.

Gjykatësi Pozhegu, ka kërkuar të dijë nga ky dëshmitar, nëse të gjithë punëtorët janë të ngarkuar me pullë postare dhe me vulë, pasi që sipas tij, i gjithë komplikimi në këtë rast lidhet me datën se kur është vendosur vula.

Dëshmitari Telaku, është përgjigjur duke thënë se me pullë postare dhe me vulë ngarkohen persona të caktuar me autorizim dhe sipas tij, tani i akuzuari Hoti nuk ka pasur autorizim për vendosjen e pullës postare dhe vulës.

“I akuzuari Sahit Hoti ka pasur për detyrë vetëm të bëjë pranimin e shkresave, më pas detyrë për vendosjen e vulës dhe pullës postare ka qenë detyrë e tjetërkujt”, ka thënë dëshmitari Telaku.

Meqenëse, shqyrtimi i së enjtes, nuk ka mundur të vazhdojë për shkak të kohës, kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu seancën e radhës e ka caktuar më 24 gusht 2018, në ora 10:00, ku pritet të vazhdohet me dëshmitë e këtyre dy dëshmitarëve.

Ndryshe, në seancën fillestare që ishte mbajtur më 16 maj 2018, i akuzuari Sahit Hoti, ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën me të cilën ngarkohet.

Ai kishte deklaruar se i kishte pranuar dokumentet nga i dëmtuari Naim Sopaj, të premten, ndërsa detyrë për dërgimin e dokumentit ka qenë e postierit.

Sipas aktakuzës, më 15 shtator 2017, Sahit Hoti në cilësinë e personit zyrtar-sportelist në zyrën postare në Postën e Malishevës, nuk përmbush detyrën zyrtare të tij dhe seriozisht i shkelë të drejtat e të dëmtuarit Naim Sopaj, si drejtor i NNP “Sopi” me seli në Prizren në lëndën e përmbarimit ku ka qenë si debitor kishte parashtruar një prapsim kundër urdhrit përmbarimor të përmbaruesit privat, Saranda Kuqi.

Sipas aktakuzës, më 15 shtator 2017, i dëmtuari kishte dërguar prapësimin të vendosur në zarf-pliko në Postën e Malishevës në sportelin ku të njëjtën e ka pranuar sportelisti, tani më i akuzuari Sahit Hoti, i cili e kishte vonuar dorëzimin e këtij dokumenti në Gjykatën Themelore në Prizren.

Sipas aktakuzës, ai një gjë të tillë e kishte bërë pas katër ditësh, por që kishte kaluar afati ligjor i prapësimit, me ç’rast Gjykata më pas kishte hedhur poshtë si të paafatshme prapësimin e debitorit NNP “Sopi”.