Dëshmitarët thonë se nuk kanë marrë subvencione dhe nuk e kanë idenë se kush ka nënshkruar në vend të tyre

Raporton : Fjolla GAXHA

Gjakovë – Reshat Berisha, Marte Zeqiri, Qazim Curri, Muhamet Rragamaj dhe Baki Berisha kanë dëshmuar të premten në Gjykatën Themelore në Gjakovë në rastin ndaj Gani Ramës, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës në lidhje dallaveret e subvencioneve bujqësore në Komunën e Gjakovës.

Prokurori special Faik Halili ka pyetur dëshmitarët nëse kanë marrë ndonjëherë subvencione bujqësore dhe nëse nënshkrimet e tyre të paraqitur nga Policia ishin të vërteta. Të gjithë dëshmitarët deklaruan se asnjëherë s’kishin marrë subvencione bujqësore dhe se nuk kishin ide se kush kishte nënshkruar në emër të tyre.

Ndryshe nga dëshmitarët e lartcekur, dëshmitari Asllan Avdijaj deklaroi se kishte marrë subvencion prej 200 kilogram farë gruri, por nuk kishte marrë asnjëherë plehra artificial. Ai tha se grurin e kishte marrë në Gjakovë në një barnatore bujqësore afër Urës se Taliqit rreth vitit 2010-2011.

Seanca e radhës vazhdon më 2 nëntor 2016, në ora 10:15, ku do të merren në pyetje dëshmitarë të tjerë në këtë rast.

Gani Rama akuzohet se gjatë periudhës 2008-2012 në cilësinë e personit zyrtar financiar në Komunën e Gjakovës, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar kishte tejkaluar kompetencat dhe me qëllim të përfitimit pasuror, ka lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare për biznesin “UNION-VL” me pronar Veli Hajdaraga për shpërndarjen e subvencioneve bujqësore. Sipas prokurorisë, kjo ishte bërë pa asnjë procedurë ose faturë të rregullt, siç është paraparë në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe rregullat financiare. Rama akuzohet se ka keqpërdorur shumën prej 218,956.67 eurove, me çka ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë