Dëshmitarët thonë se nuk e kanë njohur para marrjes së kredisë ish-analistin e KRK-së të akuzuar për korrupsion

20191129_135455
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Nëntor 29, 2019

Prishtinë – Me dëgjimin e dy dëshmitarëve ka vazhduar gjykimi ndaj ish-analistit të Kreditimit Rural të Kosovës (KRK), Ilir Imeri, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Para trupit gjykues, të kryesuar nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, dhanë dëshminë e tyre bashkëshortët Zyrafete dhe Alban Tasholli, të cilët u deklaruan për kredinë prej 4,000 euro, të cilën Zyrafete Tasholli e kishte marrë në KRK, në shtatorin e vitit 2017, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Edhe pse Alban Tasholli, për këtë çështje ishte marrë në pyetje në cilësi të dëshmitarit vetëm në polici dhe nuk ishte propozuar nga prokuroria, ai në këtë seancë fillimisht mori pjesë vetëm si publik, së bashku më bashkëshorten e tij, por më pas prokurorja Dulina Hamiti kërkoi edhe dëgjimin e tij në cilësi të dëshmitarit.

Në dëshminë e saj, Zyrafete Tasholli deklaroi se për kredinë që kishte marrë, në përgatitjen e dokumentacionit dhe veprimeve të tjera më shumë ishte përkujdesur bashkëshorti i saj Alban Tasholli, ndërsa ajo kishte shkuar në KRK vetëm njëherë dhe atë për ta nënshkruar kontratën për kredi, ndërsa nuk i kujtohej se ku ishte nënshkruar marrëveshja për kolateralin.

Ajo shtoi se nuk e ka njohur më herët Ilir Imerin, por vetëm kur kishte marrë parat e kredisë.

Për kredinë e saj, ajo tha se si hipotekë e kishin lënë një veturë “Golf 4” të një miku të tij, por të njëjtën kredi me të cilën synonin ta themelonin një biznes të vogël, i cili më pas kishte dështuar, akoma nuk e kanë paguar.

Ajo u pyet po ashtu nëse ka shkuar dikush nga KRK apo përparuesi privat për të kërkuar përmbushjen e kredisë, por e njëjta tha se nuk i kujtohet për këtë.

Ndërsa bashkëshorti i saj, Alban Tasholli deklaroi se as ai nuk e ka takuar asnjëherë Ilir Imerin para marrjes së kredisë, ndërsa kur u ballafaqua deklarata e tij në polici, në të cilin kishte thënë se ishte takuar me Imerin në një kafeteri nga i cili ishte informuar për dokumentacionin që duhej për kredi, ai e pranoi se ka pasur takim më Imerin edhe para marrjes së kredisë.

Mirëpo, pavarësisht kësaj ai tha se Imerin e njeh vetëm sa i përket procedurës për marrjen e kësaj kredie, e jo më herët.

Ai, ashtu siç tha edhe bashkëshortja e tij, deklaroi se garantues për këtë kredi ka qenë Arbnor Tasholli, ndërsa si hipotekë veturën “Golf 4”, e kishte lënë miku i tij Remzi Uka.

Ai shtoi se pasi nuk kanë mundur ta paguajnë kredinë, i kanë ofruar bankës që si dëmshpërblim të mos pagesës ta marrin veturën, por këtë nuk e kishin pranuar me arsyetimin se ka vlerë më të vogël se vlera e kredisë.

“Banka nuk e ka pranu si kolateral edhe pse ne e kemi ofru, ngase në kohën kur e kemi dhënë atë veturë në kolateral është vlerësuar mbi vlerën e kredisë, por pasi nuk e kemi pagu, vlera e kolateralit ka ra”, tha dëshmitari.

Ndryshe, edhe në këtë seancë mungoi dëshmitari i propozuar nga ana e prokurorisë, Agon Gashi, për të cilin gjykatësja Kuka-Mekaj deklaroi se është informuar nga ana e policisë se kanë shkuar disa herë në shtëpinë e tij për ta ftuar në seancë, por sipas tyre asnjëherë nuk ishte dera e hapur.

Trupi gjykues vendosi që Gashi të ftohet edhe njëherë në seancën e cila u caktua të mbahet më 30 dhjetor në ora 9:00, në të cilën po ashtu është paraparë që të merret në pyetje edhe i akuzuari Imeri.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 26 qershor 2018, i akuzuari Ilir Imeri në cilësinë e personit zyrtar si analist kreditor në degën e Prishtinës, në institucionin mikro- financiar, Kreditimi Rural i Kosovës, akuzohet se duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij.

Akti akuzues thotë se i njëjti duke vepruar në kundërshtim me Ligjin e Bankës Qendrore të Kosovës, nga muaji qershor 2016, deri në muajin tetor të po atij viti, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtar.

Sipas aktakuzës, këtë e ka bërë duke iu shmangur procedurave ka nxjerrë jashtë zyrës dokumente zyrtare jo publike si marrëveshje e kolateralit- hipotekare dhe dokumente tjera dhe duke lejuar që kjo marrëveshje të dal jashtë zyrave dhe të nënshkruhet nga vet palët kredi marrëse apo të tjerët.

Në këtë mënyrë, thuhet se i është mundësuar marrja e kredisë personave Zyrafete Tasholli, Dren Fushtica, Agon Gashi, Hamit Beka dhe Lorik Avdiu në shumë totale prej 13.700 euro, me të cilën shumë i ka shkaktuar dëm KRK-së. /Betimipërdrejtësi