Tre dëshmitarët pohojnë se lopa kishte rënë në kanalin e hapur nga kompania “Themeli”

20181108_135308
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Nëntor 8, 2018

Malishevë – Në çështjen civile ku paditësi Jeton Krasniqi po kërkon kompensim dëmi ndaj të paditurës, kompanisë “Themeli”, për lopën e cila kishte ngordhur pasi që kishte rënë në kanalin e hapur nga kjo kompani, në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, janë dëgjuar katër dëshmitarë.

Dëshmitarët Abaz Krasniqi, Rexhep Krasniqi dhe Banush Morina, që të tre, gjatë marrjes në pyetje nga gjykatësi Haki Kryeziu, pohuan se lopa kishte rënë në kanalin e hapur nga kompania “Themeli”, e i cili kishte disa ditë që ishte lënë i hapur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Morina shtoi se në momentin që kishte shkuar në vendin e ngjarjes, kishte parë se lopa nuk mund të lëvizte që të dilte nga kanali, për çka dhe e kishin lidhur me litarë dhe e kishin nxjerrë lopën të gjallë nga kanali me ndihmën e bagerit.

Pronari i kompanisë “Themeli”, Isuf Krasnqi pati vërejtje në dëshmitë e dëshmitarëve Abaz Krasniqi, Rexhep Krasniqi dhe Banush Morina, pasi që sipas tij, paditësi me këta dëshmitarë po mundohet ta inskenoj rastin, pasi që thotë se nuk është ashtu siç po tregohet.

Në seancën e së enjtes, në cilësi të dëshmitarit u dëgjua edhe Avni Robaj, veterinari i cili sipas padisë kishte konstatuar gjendjen e rëndë të lopës së rënë në kanalin e hapur nga kompania “Themeli”.

Robaj deklaroi se e kishte urdhëruar paditësin për therje të lopës, pasi që e njëjta kishte pasur thyerje të rënda që ia kanë pamundësuar qëndrimin në këmbë, dhe të paktën mishi i saj mund të konsumohej.

Ndërsa, gjatë kësaj seance,  i padituri hoqi dorë nga dëgjimi i dëshmitarëve Naim Krasnqi dhe Enver Shala, të propozuar në seancën e kaluar nga përfaqësuesi i tij, avokati Faik Morina.

Pas kësaj, gjykatësi Kryeziu caktoi seancën e radhës për 22 nëntor 2018, në ora 13:00.

Jeton Krasniqi kishte ushtruar padi më 24 gusht 2014, ndaj kompanisë “Themeli”, me arsyetimin se kjo e fundit e ka lënë pa përkujdesje kanalin e hapur me qëllim të vendosjes së kanalizimit në fshatin Astrazup të Komunës së Malishevës, me ç’sast më 12 gusht 2012, lopa qumështore, pronë e paditësit Krasniqi, ka rënë në po atë kanal të hapur.

Sipas padisë, lopa është nxjerrë nga kanali me ekskavator, në gjendje të rëndë shëndetësore, ku pasi është  kontrolluar nga veterinari Avni Robaj, ky i fundit ka konstatuar se lopa është në gjendje të rëndë, këmbët e thyera dhe të shtypura.

Kurse, pas dy ditësh, siç thuhet në padi lopa ka ngordhur si shkak i rënies në kanalin e hapur nga pala e paditur.

Vlera e kompensimit të dëmit për lopën e ngordhur të cilën Krasniqi e kërkon nga kompania “Themeli”, përmes padisë, është 1.350 euro. /Betimipërdrejtësi