Dëshmitarët: Miratimi i kërkesës së Kryeshefit të PTK-së Shyqyri Haxha, ishte vendim i ligjshëm

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Dyshimet e Prokurorisë nëse ka qenë i ligjshëm apo jo miratimi i kërkesës së ish-kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, Shyqyri Haxhës nga ana e Bordit Drejtues u qartësuan me dhënien e dëshmisë së katër dëshmitarëve para trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësja Valbona Musliu- Selimaj.

“Kërkesa për pagesën e qirasë në shumën prej dy mijë eurove është aprovuar nga ana e Bordit Drejtues për Kryeshefin Ekzekutiv dhe një punëtor tjetër me shtetësi të huaj me emrin Richard”, tha ish-anëtari i Bordit të PTK-së, Nuhi Ahmeti.

Ahmeti po ashtu theksoi se vendimi ka qenë i ligjshëm, pasi Bordi gjithmonë i merr vendimet vetëm me shumicë votash, e që sipas tij kërkesën e kryeshefit e kanë miratuar duke e vlerësuar si të drejtë.

Elmaze Pireva, po ashtu ish-anëtare e Bordit deklaroi se nuk kishte qenë pjesë e mbledhjes për ta votuar një kërkesë të tillë, por sipas të njëjtës nuk është pengesë në qoftë se është kuorumi i të pranishmëve.

Lidhur me pagesën që ishte bërë në kesh, dëshmitari Naim Gashi, punonjës në sektorin Financiar në PTK, tha se ato i janë dhënë asistentes së Shyqyri Haxhës bashkë me një dëftesë të thjeshtë të quajtur ndryshe akontacion dhe ato i ishin dhënë për çdo muaj në kohëzgjatje prej dy vitesh.

Duke ju përgjigjur pyetjeve të prokurores Fikrije Fejzullahu, Gashi tha se nuk kishte vërejtur ndonjë parregullsi, ndërsa vendimin e Bordit siç çdo vendim tjetër tha se vetëm e kishin ekzekutuar.

I ftuar për të dëshmuar ishte po ashtu Rexhep Matoshi, mbikëqyrës i Librit kryesor të PTK-së , i cili deklaroi se ka pasur akontacione të shumta që i ka regjistruar në Libër e sidomos lidhur me udhëtimet zyrtare.

Ndërsa në pyetjen e parashtruar nga mbrojtësi i Haxhës, avokati Ramë Gashi, Matoshi tha se një vendim për akontacin të qirasë nuk më është dorëzuar mua, pasi të dhënat e çdo pagese në kesh i merr drejtpërdrejt nga arka e shpenzimeve. Me kaq ka përfunduar seanca, ndërsa seanca e ardhshme pritet të mbahet më 11 tetor 2016, duke filluar në orën 13:00.

Ky proces gjyqësor zhvillohet sipas aktakuzës së ngritur në nëntor të vitit 2014, ndaj të akuzuarit Shyqyri Haxha me pretendimin se i njëjti gjatë periudhës kohore 2009-2011, duke qenë në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së ka zbatuar Rezolutën e Bordit të Drejtorëve të PTK-së, përkatësisht ka mbuluar shpenzimet e qirasë për stafin e PTK-së që jetojnë jashtë Kosovës. Në këtë mënyrë ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme pagesën e qirasë si dhe të ngarkesave tjera të cilat kanë një vlerë prej 2000 eurosh për çdo muaj, e cila në total arrin gjithsej shumën prej 53.000 eurove.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë