DËSHMITARËT MBËSHTESIN EKSPERTIZAT, NË RASTIN E TË AKUZUARËS IVANA SPASIQ PËR KEQPËRDORIM TË BUXHETIT TË OBILIQIT

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjtën, ka filluar rishtas gjykimi ndaj ish-zyrtares së Komunës së Obiliqit, Ivana Spasiq, e cila akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar”.

Në këtë séance, dëshmitari Xhafer Gashi tha se e mbështetë ekspertizën, e cila ka vlerësuar dëmin prej rreth 5000 eurove, të shkaktuar ndaj Komunës së Obiliqit. Nga dhjetori i 2013-tës, Gashi ushtron detyrën e Kryetarit të Kuvendit Komunal në Komunën e Obiliqit dhe ka shpjeguar se pas ardhjes së tij në këtë pozitë, qytetarët e kësaj Komune janë ankuar për punët e pakryera të firmës “Ardi”. “Nuk kam qenë në dijeni për lidhjen e kësaj kontrate.  Pasi që kam ardhë në Komunë nga ankesat e qytetarëve që kanë ardhë, ne e kemi formu një komision që të dal në vend të ngjarjes dhe ta bëj rivlerësimin e kryerjes së punimeve”, ka thënë Gashi. Sipas dëshmitarit, ky Komision kishte vlerësuar se nuk ishin kryer të gjitha punët siç ishte paraparë në kontratën në mes të Komunës së Obiliqit dhe firmës “Ardi”, ku kishte vlerësuar që Komunës i ishte shkaktuar dëmi prej 23.000 eurove. Pas vlerësimit të këtij Komisioni, ishin bërë poashtu edhe dy ekspertiza të tjera, njëra me autorizim të Prokurorisë dhe tjetra me autorizim të Komunës së Obiliqit. Të dyja këto ekspertiza kishin dalë me një mendim të ngjashëm, në të cilat thuhet se dëmi i shkaktuar ndaj kësaj Komune është përafërsisht 5000 euro. Ekspertizën e Komunës e ka mbështetur dëshmitari Xhafer Gashi, e poashtu edhe dëshmitari i dytë Naim Miftari duke shtuar që ka dyshim që dëmi i shkaktuar ka vlerën edhe më të madhe. Dëshmitari Miftari, aktualisht është Drejtor i Administratës në Komunën e Obliqit, dhe gjatë dhënies së dëshmisë së tij ka thënë që kjo Komunë kishte kryer pagesën ndaj firmës “Ardi”. Sipas tij, kjo pagesë ishte kryer për shkak që në raportin e pranimit teknik nga Komisioni ku kishte marrë pjesë e akuzuara Spasiq, thuhej se të gjitha punët janë të përfunduara. “I referohem raportit të pranimit teknik që thotë se të gjitha punës janë të përfundura, dhe thuhet se pagesa mund të bëhet në tërësi”, është shprehur Miftari.

Në anën tjetër, e akuzuara Ivana Spasiq, ishte deklaruar se ndihet e pafajshme për veprën penale të përshkruar në aktakuzë. Avokati mbrojtës i të akuzuarës, Ramiz Suka, ka thënë që kjo aktakuzë është e pambështetur në prova dhe fakte. Sipas tij aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nuk përmban asnjë element qenësor të kryerjes së veprës penale keqpërdorim i autoriteti zyrtar.

Sipas propozimit të përshkruar në aktakuzë, përveç dëshmitarëve që u dëgjuan të enjtën, ka qenë e paraparë që të dëgjohej edhe dëshmitari Azem Spanca. Lidhur me këtë, prokurorja e çështjes, Habibe Salihi, tha se heq dorë nga dëgjimi i këtij dëshmitari. Mirëpo, ndaj saj ka reaguar avokati mbrojtës, Ramiz Suka, i cili i propozoj gjykatës që të dëgjohet edhe ky dëshimitar, meqenëse dëshmia e tij është e domosdoshme për të vërtetuar gjendjen faktike. Lidhur me këtë propozim, trupi gjykues vendosi që të aprovohet kërkesa e avokatit dhe dëshmitari Azem Spanca do të dëgjohet në seancën e rradhës, e cila do të mbahet më 23 mars.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e ngarkon të akuzuarën Ivana Spasiq për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas pretendimit të prokurorisë, e akuzuara me datë 19 shtator 2013, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të personit tjetër. Në cilësi të anëtares së komisionit, ajo kishte përpiluar raportin përfundimtar, gjoja se ishin kryer të gjitha punimet sipas kontratës dhe aneks kontratës, me ç’rast i kishte mundësuar përfitim në mënyrë të kundërligjshme pronarit të firmës NNP “Ardi”, duke i shkaktuar dëm material Kuvendit Komunal të Obiliqit.

Në këtë aktakuzë ishin të përfshirë edhe tre zyrtarë të tjerë të Komunës së Obiliqit, por në seancën e datës 15 janar 2016 prokurorja  Habibe Salihu i ka dorëzuar Gjyaktës  marrëveshjen për pranimin e fajësisë. Kjo marrëveshje u aprovua nga Gjykata, ndërkaq për të akuzuarën Ivana Spasiq procedura u veçua. Pas veçimit të kësaj procedure, seanca e mbajtur të enjtën kishte filluar rishtas me fjalët hyrëse të palëve dhe dëgjimin e dëshmitarëve. Lidhur me tre të akuzuarit e tjerë të përfshirë në këtë aktakuzë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 janar 2016 kishte marrë aktgjykim dënues, duke u shqiptuar atyre dënim me 5 muaj burg, i cili dënim u konvertua në gjobë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë