Dëshmitarët deklarojnë se shefi i kabinetit në Komunën e Pejës, Durim Sheremeti, ishte nënshkruar në vend të menaxherit të projektit lidhur me makinën për mirëmbajtje të barit

20200723_101539
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Korrik 23, 2020

Pejë- Kryetari i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Pejës, Xhemë Berisha, tha që në raportin mbi pranimin e mallit e kanë për obligim ta nënshkruajnë anëtarët e komisionit dhe menaxheri i kontratës, por në rastin konkret është nënshkruar Durim Sheremeti për menaxherin e kontratës Faik Zekën.

Një deklaratë të tillë, dëshmitari Berisha, e ka dhënë gjatë shqyrtimit gjyqësorë, të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Pejë, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Sipas Berishës, me rastin e nënshkrimit të kontratës me operatorin ekonomik, të gjitha kompetencat nga zyra e prokurimit publik kanë kaluar tek menaxheri i kontratës, e në rastin konkret tek Faik Zekaj.

‘‘Kur nënshkruhet kontrata te gjitha kompetencat kalojnë nga zyra e prokurimit tek menaxheri i kontratës, e në rastin konkret te Faik Zekaj, i cili menaxhon me të pos që nuk ka të drejtë me ndryshu dhe ndërpre kontratën’’, ka thënë Berisha.

Ai po ashtu ka shtuar se me rastin e nënshkrimit të kontratës, ZKA-ja pra Kryetari i Komunës, në bashkëpunim me njësinë kërkuese e cakton menaxherin e kontratës, i cili sipas tij e përcjellë kontratën gjatë ekzekutimit, e në këtë rast është caktuar Faik Zekaj.

Më pas në pyetjen e prokurorit Agron Galani, se kush e ka për obligim që ta pranoi mallin, Xhemë Berisha deklaroi që është obligim i anëtarëve të komisionit dhe kryetarit të atij komisioni ta bëj vlerësimin se malli i pranuar a është në përputhje me specifikat sipas kontratës.

Ai tutje sqaroj rrjedhojën e procedurës së pranimit të mallit, duke theksuar se lënda kalon edhe përmes  njësisë kërkuese, gjegjësisht përmes drejtorit të Drejtorisë për Rini Kulturë dhe Sport (DKRS), e që në atë kohë ishte Engelbert Zefaj.

‘‘Raporti  për pranim të mallit, pasi që kompletohet dosja, nëse nuk është dhënë urdhër blerja shkon tek zyra e prokurimit, e në rastin konkret tek Milot Gashi i cili e ka lëshuar  urdhër blerjen, pas kësaj shkon lënda tek zyrtari i pranimit në këtë rast tek Ruzhdi Blaka, e  më pas shkon tek Drejtori i DKRS-së, e në këtë rast tek Engelbert Zekaj për me nënshkruar që me u leju pagesa dhe zyrtari administrativ e kthen landën në financa tek zyrtari certifikues për ekzekutim’’, tha Berisha.

Po ashtu në pyetjen e të akuzuarit Durim Sheremeti, se a ka pasur të drejtë drejtori i DKRS-së të shkoi në vendin e ngjarjes në Brestovik dhe të konstatoi me sy të lirë se a janë plotësuar kërkesat sipas kontratës së nënshkruar me operatorin ekonomik, Berisha deklaroi se nuk është kompetencë e drejtorit, por është e menaxherit të projektit.

Ndryshe në këtë shqyrtim gjyqësorë në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar  edhe ish-drejtori i Drejtoriatit për Rini, Kulturë dhe Sport në Komunën e Pejës (DKRS), Engelbert Zefaj.

Dëshmitari Zefaj tha se ai në cilësinë e drejtorit të DKRS-së, ka iniciuar procedurën për blerjen e një makine për mirëmbajtjen e barit artificial në sallën e futbollit në fshatin Brestovik në Komunën e Pejës.

‘‘Meqenëse para pak kohe e kishin fut fushën me bari sintetik ishte e domosdoshme që ai bari të mirëmbahej, kështu që kur ishte koha që ne të planifikojmë investimet vjetore, unë kam kërkuar që të blihet një maqinë për mirëmbajtjen e atij objekti dhe ajo kërkesë e imja është futur në plan të prokurimit’’, ka thënë Zefaj.

Zefaj deklaroi që specifikat e makinës në fjalë janë  përpiluar nga sektori i sportit, pranë DKRS-së, nga Valdet Shoshi si shef i sektorit, dhe se ato specifika janë caktuar para se të hapet tenderi, të cilat pas leximit nga ana e tij i njëjti i ka vlerësuar se kanë qenë të qarta.

Më pas Zefaj tha që kanë filluar procedurat e prokurimit lidhur me këtë makinë.

Sipas tij, për makinën në fjalë, ata kanë qenë në gjendje të paguajnë deri në 15 mijë euro.

Ish-drejtori Zefaj, në vazhdim ka deklaruar që pasi që kishte arritur makina e barit në fushën e sportit në Brestovik, ai ishte njoftuar përmes telefonit nga ana e menaxherit të asaj fushe, Idriz Zekaj, se makina e arritur nuk ishte për mirëmbajtje të barit artificial, por makinë për kositje të barit.

Zefaj shtoi se më pas i njëjti kishte shkuar në vendin e ngjarjes dhe  e kishte konstatuar se me të vërtetë makina e arritur nuk ishte për mirëmbajtje të barit artificial dhe i njëjti kishte kërkuar që ajo makinë të mos pranohet pasi që nuk është ajo të cilën e kanë porositur.

Lidhur me këtë problem, Zefaj tha që e ka njoftuar verbalisht edhe Zyrën e Prokurimit në Pejë.

Ai shtoi se pasi që ishte kryer pagesa për këtë makinë, kishte shkuar tek drejtori i zyrës së Prokurimit, Xhemë Berisha, për tu interesuar se si kishte ardhur deri tek pagesa e makinës, dhe sipas tij Berisha si i ndrojtur ia kishte prezantuar dosjen dhe aty e kishte parë që ishin nënshkruar anëtarët e komisionit dhe Durim Sheremeti.

‘‘Më vonë e kom kuptu që përgjegjës për pranim ka qenë Faik Zekaj si kryetar i komisionit dhe atë e ka caktuar Zyra e Prokurimit Publik në Pejë’’, ka thënë Zefaj.

Tutje në pyetjen e trupit gjykues, se në pozitën në të cilën ishte Durim Sheremeti, a ka pasur bazë ligjore për nënshkrimin e pranimit të mallit, Zefaj u përgjigj se nuk e dinë, dhe se për këtë sqarim është kompetente zyra ligjore e komunës.

Më pas gjykata e ballafaqoi me një deklaratë të tij të dhënë në prokurori, ku ai kishte deklaruar që Durim Shermeti si shef i kabinetit nuk ka pasur bazë ligjore për pranimin e mallit, lidhur me këtë Zefaj përsëri deklaroi se sipas mendimit të tij Sheremeti nuk ka pasur të drejtë.

Zefaj shtoi se nuk është ekspert ligjor i kësaj çështje andaj sipas tij për sqarimin e kësaj çështje është zyra ligjore në Komunën e Pejës.

Pas dëgjimit të dy dëshmitarëve, kryetari i trupit gjykues, Sami Sharaxhiu konstatoi që seanca ka përfunduar, dhe shqyrtimit gjyqësorë do të vazhdoi nesër me 24 korrik 2020, duke filluar nga ora 10, për kur do të dëgjohen disa dëshmitarë të tjerë.

Ndryshe në fillim të gjykimit i akuzuari për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Durim Sheremeti,  dhe  tre zyrtarë të tjerë komunalë, Gëzim Shala, Gëzim Lajqi dhe Ruzhdi Zhara, si dhe pronari i operatorit ekonomik, Ilir Kelmendi, që akuzohet për mashtrim, janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 maj 2019, Durim Sheremeti akuzohet se ka nënshkruar raportin për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik në Pejë, në vlerë prej 11 mijë e 929.41 euro, pa pasur mandat dhe kompetencë për të nënshkruar.

Në aktakuzë thuhet se ai kishte nënshkruar pranimin e mallit në emër të Organit Mbikëqyrës –menaxherit të projektit Faik Zekaj, pa pasur kompetencë për këtë edhe pse me vendim të Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, menaxher i projektit për këtë tender ishte Faik Zekaj.

Sipas aktakuzës, menaxheri i projektit për tender Faik Zekaj, kishte refuzuar të nënshkruajë këtë pranim, pasi ai kishte qenë në dijeni se makina e barit që është sjellë nga operatori ekonomik nuk është sipas projektit të kërkesës, parametrave dhe specifikave të përcaktuara në tender.

Aktakuza përshkruan se makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik, ishte në vlerë prej dymijë euro dhe me këtë veprim është dëmtuar buxheti i Komunës për shumën prej 9.929.41 euro, duke i mundësuar përfitim operatorit ekonomik, këtu të pandehurit Ilir Kelmendi, shumën prej 9 mijë 929.41 euro.

Dispozitivi i dytë i aktakuzës i ngarkon zyrtarët komunalë Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, se me 19 shtator 2017, si zyrtarë komunalë në Komunën e Pejës, në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për makinën e barit, me dashje nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, ata pa pasur një vendim në formë të shkruar se janë caktuar anëtarë të komisionit për pranimin e mallit lidhur me tenderin “Kontratë, Blerja e Makinës për Mirëmbajtje të Barit Artificial për Qendrën Sportive Brestovik” dhe të njëjtit nuk kishin kontrolluar fare nëse malli (furnizimi) i pranuar i plotësonte kushtet e specifikuara në kontratë dhe atë pa prezencën e menaxherit të projektit Faik Zekaj dhe pa prezencën e operatorit fitues, nënshkruajnë pranimin e mallit të makinës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit nënshkruajnë pranimin e mallit edhe pse kanë qenë në dijeni se ata duhet të bëjnë verifikimin nëse makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik i plotësonte kushtet në kontratë dhe në vlerë monetare, me ç’ rast i shkaktojnë dëm Komunës se Pejës, 9 mijë e 929.41 euro, kurse përfitimin biznesmenit Ilir Kelmendi, në shumë prej 9 mijë 929.41 euro.

Kurse, i pandehuri Ilir Kelmendi, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë se ka kryer veprën penale të mashtrimit, ashtu që si pronar  firmës “Green Construcion-Shpk”, duke  paraqitur fakte të rreme të me qëllim të përfitimit ë kundërligjshëm të dobisë pasurore.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri Kelmendi kishte fituar tenderin nga Komuna e Pejës, ai nuk i përmbahet kushteve të tenderit ku në shënimin e Komunës së Pejës është paraparë vendi i origjinës së makinës të jetë Turqia dhe firma e makinës së barit të jetë prodhuese e “Uçegen Firça”, ashtu që ai nuk e ka sjellë makinën sipas kontratës së firmës “Uçegen Firça”, por të firmës “Alpina”, e cila sipas aktakuzës, makina e barit e sjellë nga i pandehuri ishte me çmim të tregut prej dy mijë euro dhe nuk ka ofruar as dorëzuar dëshmi për blerjen e makinës dhe me këtë veprim i ka shkaktuar dëm Komunës së Pejës, prej 9.929.41 euro. /BetimipërDrejtësi