DËSHMITARES DUKA SI KUJTOHET DËSHMIA, KU KISHTE DEKLARUAR SE SHEFJA E KOMISIONIT ISHTE INTERESUAR QË TË FITONTE “AUTO KAÇANDOLLI”

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Pas disa zvarritjeve të seancave në mungesë të caktimit të prokurorit, të martën ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj zyrtarëve të Minisitrisë së Drejtësisë, përkatësisht të Departamentit të Prokurimit. Ndjekjen në këtë lëndë tanimë do ta bëjë prokurori special Abdurrahim Islami. Në këtë seancë prokurori Islami ka ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitares Valentina Duka, ish-zyrtare në Departamentin e Prokurimit në Ministrisë së Drejtësisë.

Para trupit gjykues, dëshmitarja Duka deklaroi se detyrë e saj si zyrtare dhe si pjesë e Komisionit Vlerësues ka qenë kompletimi i lëndës deri në përfundimin e procesit, përkatësisht deri në momentin e shpërblimit me kontratë të operatorit fitues.

E njëjta deklaroi se varësisht nga lënda ishin caktuar tre ose pesë anëtarë të Komisionit të cilët pas përpilimit të Raportit Vlerësues, të njëjtin ia kishin dërguar Drejtorit të Departamentit të Prokurimit, i cili e kishte dhënë vendimin final nëse ishte operatori adekuat për tu shpërblyer me kontratë, edhe pse e njëjta sqaroi se vendimi i Drejtorit nuk bëhet në formë të shkruar.

Duka theksoi se tenderin ku fitues ishte shpallur “Auto Kaçandolli” ka qenë pjesë e Komisionit së bashku me Naim Krasniqin dhe Hidajete Sadikun, ndërsa theksoi se lidhur me këtë caktimin e Komisionit nuk kishin marrë njoftim me shkrim paraprakisht, por ishte njoftuar gojarisht nga vet Hidajetja.

Po ashtu Duka theksoi se në rastin konkret çështja ka qenë më e komplikuar, pasi ka qenë çështja e vlerësimit të kubikazheve të automjeteve nëse kanë qenë 1.3 apo 1.4 dhe e njëjta deklaroi se për shkak se si Komision Vlerësues nuk kanë qenë të sigurtë lidhur me kubikazhin e saktë kishin kërkuar informacion në Doganë, Bankë Qendrore të Kosovës dhe nga kompanitë e sigurimit lidhur me atë se çfarë numri të kubikazhit mund të ketë një lloj i tillë i automjetit.

Duka deklaroi se pas mbledhjes së këtyre informatave si Komision Vlerësues kanë ardhë në përfundim se oferta e “Auto Kaçandollit” i plotëson kushtet dhe e njëjta është shpërblyer me kontratë.

Ndërsa në pyetjen vijuese të prokurorit lidhur me atë nëse ka pasur ndikim ndokush për fitimin e tenderit nga i njëjti operator ekonomik, Duka deklaroi se nuk i kujtohet të ketë pas ndonjë person pretendime për t’i ndihmuar “Auto Kaçandollit”.

Lidhur me këtë deklaratë të saj, prokurori Islami e ballafaqoi me deklaratën e saj të dhënë në Prokurori me datën 6 korrik 2012, ku e njëjta kishte thënë se e kishte vërejtur udhëheqësen e Komisionit të ketë qenë shumë e interesuar që fitues i tenderit të jetë “Auto Kaçandolli” dhe çdo veprim e ka bërë me shpejtësi, duke mos i njoftuar anëtarët e tjerë për veprimet procedurale.

Për këtë ballafaqim dëshmitarja deklaroi se ka kaluar një kohë e gjatë dhe se nuk i kujtohet shumë qartë se çfarë ka ndodhur, por e njëjta theksoi se mbetet pranë deklaratës së dhënë në Prokurori.

Në pyetjen e anëtarit të truit gjykues, gjykatësit Arben Hoti lidhur me atë se a e pezullon ankesa shpërblimin me kontratë të operatorit ekonomik dhe se a nënkupton se liferingu në fund të vitit fiskal duhet të shpejtohet dhe nëse kjo praktikë si e tillë është e kundërligjshme, Duka tha se ankesa e pezullon procesin, por në rastin e fitimit të tenderit nga ana e “PBC-Kosova” nuk ka qenë e ankimuar në atë kohë dhe se çështja e pagesave është përshpejtuar bazuar në praktikat e fundvitit fiskal.

Lidhur me pyetjen e prokurorit parashtruar dëshmitares Duka për pjesmarrjen e Drejtorit Besnik Dërmaku në vlerësimin e opertorit ekonomik dhe për mundësinë e ekzistimit të konfliktit të interesit, mbrojësi i të akuzuarit Besnik Dërmaku, avokati Florent Latifaj deklaroi se Ligji i Prokurorimit Publik në atë kohë nuk e ka paraparë ndalimin e Drejtorit të Departamentit të Prokurorimit të merr pjesë në vlerësim e aq më pak të ketë ekzistuar konflikti i interest pasi Ligji për Konfliktin e Interesit kishte hyrë në fuqi dy vite pas përzgjedhjes së fituesit të tenderimit.

Sipas aktakuzës, në pikën e parë të pandehurit Dërmaku, Sadiku dhe Krasniqi, ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas aktakuzës, për të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar se në peridhën kohore nga 22 nëntori 2008 e deri më 31 dhejtor 2010, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë në Ministrinë e Drejtësisë në Prishtinë, Besnik Dërmaku si Drejtor i Departamentit të Prokurimit, Hidajete Sadiku si zyrtare e Lartë e Prokurimit dhe Naim Krasniqi si zyrtarë i Transportit, me qëllim të shkaktimit të dëmit për buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë dhe përfitimit të dobisë pasurore për vete duke i favorizuar në tenderë të ndryshëm operatorët ekonomik: “Albus”, “PBC-Kosova”, “Lesna”, “Getoari dhe Dreni Inginiering” dhe “Auto Kaçandolli, kanë keqpërërdorur pozitën zyrtare, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Ministrisë së Drejtësisë në shumën prej 10.080 euro.

Pika e dytë e aktakuzës të pandehurit Kushtrim Muqolli, Shkëlqim Osmani dhe Agim Beqiraj i ngarkon me veprën penale Keqpërdorimi i Autorizimeve Ekonomike.

Për të pëndehurin Muqolli, ekziston dyshimi i bazuar se si përfaqësues i operatorit ekonomik “Albus”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për operatorin ekonomik “Albus” me rastin e kësaj kompanie në aplikimin për tender për furnizim me toner për Ministrinë e Drejtësisë, ka prezentuar ofertë të rreme, duke plotësuar rubrikat e aplikacionit dhe specifikacionet e tonerëve, për të cilët Ministria e Drëjtësisë nuk i ka përfshirë në listë fare, vetëm për ta fituar tenderin.

Ndaj të pandehurit Osmani ekziston dyshimi i bazuar se duke vepruar si ekspert në kuadër të kompanisë “Vizion Projekt” nga Prishtina, si kompani mbikëqyrëse e punëve të kryera nga ana e kompanisë “Lesna”, gjatë ndërtimit të objektit për Dëshmitar të Mbrojtur në Dubravë, me qëllim të realizimit  të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për organizatën “Vision Projekt” dhe kompaninë “Lesna”, ka raportuar se punët janë kryer sipas planit dinamik të caktuar nga Ministria e Drejtësisë e që sipas gjendjes faktike deri atëherë ishin kryer vetëm gjysma e punëve. Në bazë të këtij raporti, Ministria e Drejtësisë i ka paguar operatorit ekonomik “Lesna” shumën prej 1.492.975 euro. Kësisoji i pandehuri Osmani i ka shkaktuar dëm Ministrisë së Drejtësisë, duke i mundësuar të përfitoj kompania “Lesna” edhe pse e njëjta asnjëherë nuk është penalizuar për vonesat në kryerjen e punëve.

Ndaj të pandehurit Beqiraj ekziston dyshimi i bazuar se duke vepruar si inxhinier i kompanisë “Lesna”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për kompaninë “Lesna”, ka përpiluar dokumente të rrejshme. I pandehuri Beqiraj ka shënuar në ditarin e punës  së paku 105 ditë, si ditë që nuk kanë punuar punëtorët për shkaqe atmosferike apo festave të ndryshme edhe pse sipas raportit të burgut të Dubravës, punëtorët e kësaj kompanie kishin punuar gjatë këtyre ditëve. Në këtë mënyrë i pandehuri Beqiraj i ka mundësuar kompanisë “Lesna” të arsyetoj vonesat për kryerjen e punëve në afatet e caktuara. Me këtë rast i është shkaktuar dëm Ministrisë së Drejtësisë dhe përfitim të kundërligjshëm opertorit ekonomik “Lesna” në shumën prej 22.863.56. euro.

Seanca e radhës u caktua për 14 shtator prej orës 09:00 dhe më 23 shtator, po ashtu prej orës 09:00.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë