Dërgonin mesazh të rremë te qytetarët lidhur me analizat për Covid-19, policia identifikon të dyshuarit

POLICIA-E-KOSOVES
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Prill 2, 2020

Prishtinë – Pas pranimit të një informacioni nga Ministria e Shëndetësisë, lidhur me qarkullimin e një mesazhi me përmbajtje dezinformuese, i cili nuk ishte lëshuar nga asnjë institucion përkatës, Policia e Kosovës ka filluar hetimet.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga vet Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas raportit në fjalë, përmbajtja e këtij mesazhi i cili ka qarkulluar përmes rrjeteve sociale dhe disa portaleve online, përmes të cilit i është bërë ftesë qytetarëve për analiza rreth virusit Covid-19 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka shkaktuar dezinformimin e qytetarëve.

Në këtë drejtim thuhet se, Policia e Kosovës në konsultim me Prokurorin e Shtetit ka ndërmarrë veprime të menjëhershme, me ç‘rast ka arritur që të identifikoj personat që dyshohet se qëndrojnë prapa këtij mesazhi.

“Ajo çfarë mund të konfirmojmë është se ky mesazh ishte mashtrues, i njëjti është krijuar dhe dërguar tutje fillimisht nga një person, tani i njohur për Policinë e Kosovës”, thuhet në raport. /BetimipërDrejtësi