Dërgohet në procedurë të ndërmjetësimit lënda ndaj të akuzuarve se sulmuan një person me mjet shpues

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarve Ibrahim Qadraku, Shpend Osmani dhe Blerim Bajqinovci, të cilët ngarkohen se pas një fjalosje dhe problemi të mëherëshëm, e kanë sulmuar me grushte dhe me mjet shpues të dëmtuarin Ermal Rashica.

Në fillim të seancës, i dëmtuari Rashica me lejen e gjykatësit Selman Salihi, i propozoi gjykatës që kjo lëndë të shkojë në procedurë të ndërmjetësimit, pasi siç tha ai, të njëjtit janë pajtuar, janë marrë vesh dhe nuk do të kenë më mosmarrëveshje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, të pandehurit e pranishëm në këtë seancë Qadraku dhe Osmani, shprehën gatishmëri dhe dhanë pëlqimin që lënda të shkojë në procedurë të ndërmjetësimit, pasi edhe të njëjtit deklaruan se janë pajtuar me të dëmtuarin Rashica.

Me propozimin e të dëmtuarit Rashica, u pajtua prokurorja Rukije Sheshivari dhe si i tillë ky propozim u pranua edhe nga gjykatësi Selman Salihi.

Gjykatësi Salihi tha se lëndën penale së bashku me të gjitha shkresat e domosdoshme si dhe me procesverbalin e sotëm do t’ia dërgojë institucionit të ndërmjetësimit-zyrtarëve të zyrës së ndërmjetësimit.

Ndryshe, në seancë nuk ishte i pranishëm i akuzuari Blerim Bajqinovci, për të cilin gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje përmes policisë, kurse të njëjtit e kanë njoftuar gjykatën se i akuzuari i lartcekur gjendet jashtë shtetit.

Andaj, gjykatësi Salihi në këto rrethana e veçoi procedurën ndaj tij.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në janar të 2019-ës nga Prokuroria Themelore, të pandehurit Ibrahim Qadraku, Shpend Osmani dhe Blerim Bajqinovci më 14 mars 2017, në Qendrën e paraburgimit në Lipjan, pas një fjalosje dhe problemi të mëhershëm, derisa ishin në shetitoren e burgut, e kanë sulmuar me grushte dhe me mjet “shpues” të punuar me dorë, mjet ky që mund të shkaktojë lëndim të rëndë, tani të dëmtuarin Ermal Rashica.

Në aktakuzë thuhet se në ato momnte, i dëmtuari ishte duke shëtitur aty, me ç’rast i kanë shkaktuar lëndimetë lehta trupore më dëmtim të përkohëshëm për shëndetin.

Me këtë, të pandehurit kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 188, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër ku kryesi dënohet me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë