Dërgohet në procedurë të ndërmjetësimit lënda ndaj të akuzuarit për vjedhje mbi 1 mijë euro në bizhuteri

Author

Raporton – Blerta BARKU

Shtator 14, 2021

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarit Pal Dushi. Ai ngarkohet për vjedhje në bizhuterinë “Anea” në Fushë Kosovë më 2016, duke i shkaktuar dëm material në vlerë 1 mijë euro.

Pas hapjes së shqyrtimit gjyqësor, gjykatësi Sabit Sadikaj i njoftoi palët për mundësinë e zgjedhjes së kësaj çështje në procedurë ndërmjetësimi.

Pala e dëmtuar Lulzim Berisha, i akuzuari Pal Dushi dhe mbrojtësi i tij Ibrahim Shala u pajtuan që këtë çështje ta zgjidhin me ndërmjetësim.

Edhe prokurori Arianit Salihu u pajtua që kjo çështje penale të referohet në procedurë të ndërmjetësimit, marrë parasysh dispozitat ligjore.

Në këto rrethana, gjykatësi Sadikaj mori aktvendim ku palët u udhëzuan në procedurë të ndërmjetësim.

Aktakuza e përpiluar më 8 shtator 2016, ngarkon Pal Dushin se në shkurt të 2016-ës në rrugën Nëna Terezë në Fushë Kosovë, më qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja që të sjellë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme, kishte hyrë në bizhuterinë “Anea” dhe ka marrë një sasi të kornizave të syzeve optike, ku të dëmtuarës bizhuterisë “Anea” i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 1 mijë euro.

Për këtë, Pal Dushi akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje” nga neni 325, paragrafi 1, të Kodit Penal, vepër e cila është e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet, sipas Kodit që ishte në fuqi në kohën kur është kryer vepra penale. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në ketë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.