Dërgohet në ndërmjetësim lënda ndaj të akuzuarve për lëndim të lehtë trupor

502
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Prill 7, 2021

Viti Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, të mërkurën, e ka dërguar në Qendrën e Ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarve për lëndim të lehtë trupor, Xhevat Ismajli dhe Metush Sahiti.

Një gjë e tillë ka ndodhur pasi që të akuzuarit, në seancën e shqyrtimit gjyqësor, kanë propozuar që kjo lëndë të zgjidhet në procedurë alternative, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit kanë deklaruar se ata janë pajtuar mes vete dhe i kanë kërkuar falje njëri-tjetrit në gjykatë, duke premtuar se më nuk do të kenë probleme.

Me këtë propozim është pajtuar edhe prokurori i rastit, Halim Borovci.

Lidhur me këtë, gjykatësi Nexhat Aliu mori aktvendim me anë të së cilit aprovoi propozimin e palëve që çështja në fjalë të dërgohet në ndërmjetësim.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 12 dhjetor 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Xhevat Ismajlit dhe Metush Sahitit, të cilët i ngarkon me veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188 paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i pandehuri Xhevat Ismajli, më 17 nëntor 2017, rreth orës 17:45 minuta, në Viti, në rrugën e “Preshevës”, te stacioni i autobusëve, për shkak të një zënke të momentit, e ka sulmuar dhe e ka lënduar lehtë të pandehurin Metush Sahitin, në mënyrë që në fillim e ka kap për duar dhe më pas e ka goditur me kokë në kokë, me ç’rast të njëjtit i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore në formë të skuqjeve dhe ndrydhjeve të indeve të buta të kokës, me pasoja të përkohshme  për shëndetin.

Ndërsa sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri Metush Sahiti, në ditën kohën dhe vendin dhe për motivin e njëjtë, e ka sulmuar dhe e ka lënduar lehtë të pandehurin Xhevat Ismajli, në atë mënyrë që e godet me kokë në kokë të njëjtin, me ç’rast të njëjtit i shkakton lëndime të lehta trupore në forme të ndrydhjeve të indeve të buta të kokës, me pasoja të përkohshme për shëndetin. /BetimipërDrejtësi