Dërgohet në ndërmjetësim lënda ndaj të akuzuarit se sulmoi të dëmtuarin dhe ia dëmtoi veturën

Gjykata29
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Janar 13, 2020

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, në seancën e shqyrtimit gjyqësor e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lëndën të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor dhe asgjësim apo dëmtim të pasurisë, Bislim Thaqi.

Një vendim i tillë është marrë nga gjykatësi Kushtrim Shyti, pasi që i akuzuari Thaqi ka propozuar që lënda të referohet në procedurën e ndërmjetësimit.

I akuzuari në këtë seancë ka thënë se me të dëmtuarin janë fqinj dhe tashmë i kanë rregulluar raportet.

“Jemi pajtu dhe tash kemi raporte të mira”, ka thënë i akuzuari.

Lidhur me këtë propozim, është pajtuar i dëmtuari Mirsad Mexhuani, si dhe prokurorja Edina Jupolli, pasi që sipas saj, palët janë pajtuar dhe kanë shprehur vullnet për referimin e çështjes në ndërmjetësim, në pajtim me nenin 232 të KPPRK-së.

Pas propozimit të të akuzuarit dhe dhënien e pëlqimit të të dëmtuarit, si dhe prokurores Jupolli, gjykatësi Shyti, e ka referuar çështjen në procedurën e ndërmjetësimit, duke e obliguar Organin e Ndërmjetësimit që në afat brenda 90 ditësh ta njoftojë gjykatën për rezultatin e arritur.

Paraprakisht, gjykatësi Shyti ka njoftuar se i akuzuari në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 2 dhjetor 2019, e kishte mohuar fajësinë për veprat që i vihen në barrë, dhe kishte hequr dorë nga e drejta e tij për të kundërshtuar aktakuzën, duke kërkuar që lënda të shkojë drejt në shqyrtimin gjyqësor.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 2 nëntor 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj Bislim Thaqi për veprat penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188, paragrafi 1, pika 4 të KPRK-së dhe “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, nga neni 333, paragrafi 1 të KPRK-së.

Ai akuzohet se, më 24 gusht 2016, në fshatin Milloshevë, saktësisht te rrethi i rrugës Milloshevë– Obiliq, pas një mosmarrëveshje të atëçastshme në mes tij dhe të dëmtuarit Mirsad Mexhuani, lidhur me një borxh, që sipas të akuzuarit Thaqi, ia kishte i dëmtuari Mexhuani.

Sipas aktakuzës, i akuzuari fillimisht e ka ndalur dhunshëm veturën e të dëmtuarit, e pastaj e ka sulmuar fizikisht atë, ashtu që nga xhami i derës së shoferit e ka kapur nga fyti dhe e ka tërhequr për veture, me ç’ rast të njëjtit i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Gjithnjë, sipas aktakuzës, në kohën dhe vendin si në diapozitivin e parë të kësaj aktakuze, pikërisht për shkak të mosmarrëveshjes se krijuar ne mes të pandehurit dhe të dëmtuarit, këtij të fundit, me qëllim ia ka dëmtuar pasurinë e luajtshme, ashtu që me një shkop druri e ka goditur dhe thyer xhamin anësor të anës së majtë të veturës së tipit “Opel Vectra”, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material. /Betimipërdrejtësi