Dërgohet në ndërmjetësim lënda ndaj të akuzuarit se për shkaqe xhelozie e goditi me grushte të dëmtuarin
Raporton: Elmaze GËRGURI-HALITI
Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarit për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, Veton Gashi.
Fillimisht, në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Gashi u deklarua fajtor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
”E ndjej veten fajtor dhe i kërkoj falje të dëmtuarit për ketë veprim”, deklaroi ai.
Në pyetjen e gjykatësit të rastit Sabit Sadikaj, drejtuar të dëmtuarit Hajrullah Gërbeshi, nëse i njëjti qëndron pas ndjekjes penale dhe dëshiron të parashtrojë kërkesë për kompensim dëmi, ky i fundit tha se jo.
Gërbeshi deklaroi se nuk është i interesuar që ta ndjek penalisht të pandehurin dhe nuk parashtron kërkesë për kompensim dëmi.
“Ia kam fal këtë vepër, ka ndodhë çka ka ndodhë”, tha i njëjti.
Në këto rrethana, gjykatësi Sadikaj propozoi që lënda të shkoj në ndërmjetësim, me të cilin propozim u pajtuan i akuzuari, i dëmtuari dhe prokurorja Hava Krasniqi.
Sipas aktakuzës së ngritur në janar të 2019-ës, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Veton Gashi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” neni 188, paragrafi 1, pika 1.4, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose burgim deri në një vit.
Në aktin akuzues thuhet se Gashi në maj të 2018-ës, në lokalin “Fast Food Amigos” në Prishtinë, me dashje e ka goditur me grushte në fytyrë dhe trup të dëmtuarin Hajrullah Gërbeshin, për motive xhelozie, shkaku i një vajze. Me këtë rast thuhet se i dëmtuari ka pësuar gërvishtje dhe dërrmishje lëkurore në regjionet e dy shpatullave të duarve, në parakrahun e dorës së majtë, në të dy regjionet e belit dhe gjakëmbledhje nënlëkurore rreth syrit, të cilat kamuflohen lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.