Dërgohet në Gjykatë Komerciale lënda në rastin ku paditësi po kërkon nga BQK kompensim dëmi afro 2 milionë euro

Raporton: Donjeta Ajvazi

Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë është shpallur jokompetent në pikëpamje lëndore për gjykimin e rastit në të cilin Qendra Procesuese Kosova Card po kërkon nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) kompensim dëmi në vlerë prej 1 milion e 750 mijë euro. Andaj, kjo lëndë i kalon Gjykatës Komerciale.

Një vendim të tillë, e mori gjykatësja e rastit Arjeta Sadiku në seancën e së enjtes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë, përfaqësuesja e palës paditëse, Miranda Haxhiu deklaroi se duke pasur parasysh faktin se kjo lëndë është voluminoze dhe ka ende prova për t’u shqyrtuar, kërkoi që kjo lëndë të vazhdojë në Gjykatën Komerciale.

Ndërsa përfaqësuesja e palës së paditur, Igballe Podvorica tha se e kundërshton në tërësi si të pabazuar padinë dhe kërkesëpadinë, pasi që sipas saj paditësja për pretendimet e saj nuk ka prezantuar asnjë fakt apo provë të bazuar, andaj i propozoi gjykatës që kërkesëpadinë ta refuzojë si të pabazuar.

Më pas, gjykatësja Sadiku mori aktvendim, me të cilin Departamenti për Çështje Administrative, u shpall jokompetent për këtë lëndë.

“Gjykata merr aktvendim me të cilin Departamenti për Çështje Administrative shpallet jokompetent në pikëpamje lëndore për trajtimin e kësaj çështje dhe konform ligjit për Gjykatën Komerciale, konkretisht neni 13, paragrafi 1.11, lënda dërgohet në gjykatë komerciale për kompetencë të mëtutjeshme”, tha gjykatësja.

E njëjta konstatoi se do nxjerrë aktvendim të cilin do ua dorëzojë palëve, pasi që të njëjtit kanë të drejtë ankese dhe pas plotfuqishmërisë së të njëjtit, lënda do të dorëzohet në Gjykatë Komerciale.

Sipas padisë së ushtruar nga Qendra Proceduese Kosova Card QPK, e specializuar për ofrimin e shërbimeve informatike të bazuar në legjislacionin valid të Republikës së Kosovës, ka aplikuar në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, për ofrimin e shërbimeve informatike për bankat komerciale konfrom dispozitës së nenit 22.1 të Rregullores së UNMIK-ut mbi Transaksionin e Pagesave.

Sipas këtij neni “Përpunuesi i palës së tretë është një person juridik i autorizuar, i cili mbikëqyret dhe mbahet nën kontrata nga BQK për të vepruar si përpunues i palës së tretë”.

Mbi këtë bazë, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës e ka autorizuar paditësen- Qendra Procesuese Kosova Card QPK, për të vepruar si palë e tretë proceduese në lidhje me transaksionet e pagesave, me autorizimin e 18 shtatorit 2008.

Gjatë procedurës se licencimit dhe pas saj Qendra Procesuese Kosova Card (QPK) ka investuar në pajisje të nevojshme për kryerjen e veprimtarisë në përputhje  me autorizimet, me të cilin rast ka angazhuar ekspertë dhe personel të kualifikuar për kryerjen e veprimtarisë së procedimit të të dhënave lidhur me transaksionet e pagesave.

Tutje thuhet se investimet e përgjithshme në pajise, softuer dhe personel (trajnime jashtë vendit dhe të ardhura) mbi 450,000,00 euro.

Sipas padisë, përkundër faktit se ka qenë i licencuar për kryerjen e shërbimeve të cekura më lartë, disa banka komerciale në Kosovë, janë duke i shfrytëzuar si procedues i të dhënave palëve të treta lidhur me transaksionet e pagesave, subjekteve juridike që nuk janë të regjistruara si biznese në Republikën e Kosovës dhe nuk posedojnë autorizimin e BQK-së .

Sipas padisë, BQK ka pasur dijeni për shkeljen e dispozitave të lartcekura nga ana e bankave komerciale. Marrë parasysh këtë dëm, QPK ka parashtruar padi në Gjykatën Ekonomike të Qarkut, mirëpo e njëjta është shpallur jokompetente për vendosjen e kësaj çështje kontestimore pasi që rasti konkret nuk ka të bëjë me marrëdhëniet e ndërsjellta ekonomike por me shkelje të rregullores së UNMIK-ut, nga bankat komerciale dhe për shkak të mosveprimit të paditurës me ligj.

Andaj, paditësja ka kërkuar nga gjykata që BQK në emër të kompensimit të dëmit t’ia paguajë shumën prej 1 milion e 750 mijë euro, me kamatë ligjore duke filluar nga paraqitja e padisë e deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet e procedurës, të gjitha në afat të caktuar ligjor. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë