Deputeti Valon Ramadani deklarohet i pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare

Raporton: Anesa Hoxha

Prishtinë – Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani nuk e ka pranuar fajësinë për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe pengimin e personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Në seancën fillestare të mbajtur të martën, deputeti Ramadani u deklarua i pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohet.

Në këto rrethana, gjykatësja Lumnije Krasniqi e ka njoftuar Ramadanin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Naser Sopjani, se brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe të bëjnë kundërshtimin e provave që gjenden në të.

Ndryshe, prezent në sallë të gjykimit ishte edhe prokurori Besart Mustafa.

Seanca fillestare në këtë rast kishte dështuar të mbahej pesë herë me radhë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Valon Ramadanit, me arsyetimin se ka kryer dy vepra penale dhe atë “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1 të KPRK-së si dhe për “pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktit akuzues, më 21 mars 2018, në Prishtinë, saktësisht në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i akuzuari Ramadani, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ka përdorur armë, në atë mënyrë që ka ndezur dhe ka hedhur një bombolë të gazit lotsjellës gjatë zhvillimit të seancës së jashtëzakonshme.

Në aktin akuzues thuhet se në kohën, vendin dhe mënyrën e lartcekur, i akuzuari Ramadani ka penguar personat zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ka përdorur gazin lotsjellës dhe janë ndërprerë punimet e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të RKS-së. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë