Deputeti Naser Osmani dhe të tjerët shpallen të pafajshëm për keqpërdorim pozite, dënohet Agim Deshishku

51562135_1855281071268048_8492078752912637952_n
Author

Raporton: Medina Kadriu

Shkurt 8, 2019

Prishtinë – Deputeti Naser Osmani dhe të akuzuarit tjerë për rastin e njohur si “FAN”, Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi, Bahri Shabani, Shkelzen Lluka, Naim Avdiu, të premten, janë shpallur të pafajshëm për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

I pafajshëm u shpall edhe i akuzuari Agim Deshishku, për legalizim të përmbajtës së rreme në vazhdimësi raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, Deshishku u gjet fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale të mashtrimit në vazhdimësi, për çka u dënua me 1 vit burgim. Kurse, për veprën penale të shmangies nga tatimi, Deshishku u dënua me 1 vit burgim dhe 10 mijë euro gjobë.

Ndaj tij u shqiptua dënim unik prej 1 viti e 8 muaj burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Gjithashtu, sipas aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Shashivar Hoti, i akuzuari Agim Deshishku obligohet që dëmin prej 53,807.46 euro t’ia kompensojë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), si dhe të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në vlerë 300 euro.

Ndërkaq, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) udhëzohet në kontest civil.

Sipas aktgjykimit, u refuzua edhe kërkesa e prokurorisë për konfiskimin e ndërmarrjes “FAN”.

Së bashku me Naser Osmanin dhe të tjerët, për keqpërdorim të detyrës zyrtare ishte i akuzuar edhe Agron Kamberi, mirëpo për të njejtin prokuroria ishte tërhequr nga ndjekja penale.

Rasti kundër Naser Osmanit e të tjerëve kishte filluar sipas kallëzimit penal të parashtruar nga Policia e Kosovës më 28 prill 2014.

PSRK më 30 prill 2014, kishte marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, kurse kjo Prokurori më 16 shkurt 2016, kishte ngritur aktakuzë në GjTh në Prishtinë kundër deputetit Naser Osmani, Nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Agron Kamberi, Adrian Kelmendi, të gjithë zyrtarë në AKP, si dhe Agim Deshishku, blerës i fabrikës “ FAN”.

Ndryshe, ndaj Agron Kamberit, tashmë është pushuar procedura, pasi ndaj tij prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale.

Në seancën e 4 prillit 2016, përderisa prokurori special Admir Shala kishte lexuar aktakuzën, Naser Osmani dhe Bahri Shabani, pjesë e bordit të drejtorëve të AKP-së, nuk ishin deklaruan lidhur me fajësinë, me arsyetimin se prezent duhet të jenë të gjithë anëtarët e bordit. Shqyrtimi kryesor në këtë rast kishte arritur të mbahet më 12 korrik 2017.

Këtë aktakuzë më pas e kishte përfaqësuar Prokurorja Speciale Fikrije Fejzullahu, pasi ish-Prokurori Special, Admir Shala, ishte zgjedhur Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren.

Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor janë caktuar rreth 20 seanca gjyqësore, katër nga të cilat kishin dështuar të mbahen.

Në mes të dëshmitarëve në këtë rast ishin dëgjuar edhe ish- anëtari i bordit, Haxhi Arifi, ish-punëtorët e fabrikës “FAN”.

Të gjithë të akuzuarit kishin dhënë mbrojten e tyre në këtë gjykim duke u përgjigjur në pyetjet e mbrotjësve të tyre, prokurorisë e trupit gjykues.

Ata në vazhdimësi kanë mohuar pretendimet e prokurorisë në aktin akuzues të ngritur kundër tyre.

Gjatë fjalës përfundimtare, prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu, kishte kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe kishte kërkuar konfiskimin e fabrikës “FAN”.

Kurse, mbrojtësit e të akuzuarve, bashkë me të akuzuarit, kishin kërkuar nga trupi gjykues që t’i lironte nga akuza, duke mohuar sërish veprat penale që u vihen në barrë, e duke insistuar në pafajësinë e tyre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 16 shkurt 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër deputetit Naser Osmani, nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu, Melita Ymeraga, Adrian Kelmendi, Agim Deshishku.

Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e PSRK-së, të akuzuarit Naser Osmani, si nënkryetar i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Bahri Shabani si drejtori i Bordit të AKP-së, Shkelzen Lluka si menaxher i AKP-së, Naim Avdiu si zv/drejtor menaxhues i AKP-së dhe Melita Ymeraga, Ardian  Kelmendi, si  kryesues  të  Njësisë  së  Monitorimit në AKP në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë si anëtarë ndërkombëtarë të AKP-së: Lisa  Brodey, Mohammed Omran dhe Hubert Ërsmann, i kanë kaluar kompetencat zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë për vete ose për personin tjetër, në vlerë prej 5,400,000,00 euro.

Ata akuzohen se kanë shkelur të drejtat e punëtorëve të kësaj ndërmarrje, me çka njëkohësisht i kanë shkaktuar dëm Ndërmarrjes Shoqërore “FAN” e përfaqësuar nga AKP-ja si dhe buxhetit të shtetit, lidhur me çështjen e Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”. Kjo e fundit, ishte privatizuar në valën e 7-të të shitjes nga AKM-ja, ku ishte  blerë  me  çmim  prej  2,310,000  euro  nga  blerësi, që më pas i akuzuari Agim  Deshishku, sipas kontratës së nënshkruar me zotimet e fituara të bëjë investime në vlerë prej 2,800,000 euro dhe të punësojë 236 punëtorë gjatë periudhës dy vjeçare.

Agim Deshishku, akuzohet nga prokuroria për mashtrim në vazhdimësi, legalizim i përmbajtjes së rreme në vazhdimësi dhe për shmangie nga tatimi.

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 4 prill 2016, pas leximit të aktakuzës nga prokurori special  Admir  Shala, të pandehurit Naser  Osmani dhe Bahri Shabani, nuk u deklaruan lidhur me fajësinë apo pafajësinë e tyre, me arsyetimin se prezent duhet të jenë të gjithë anëtarët e bordit.  Shqyrtimi i dytë lidhur me këtë rast ishte caktuar të mbahej më 6 maj 2016, por e njëjtë ishte shtyrë. Që nga 6 maji 2016, e deri në fund të shkurtit 2017 nuk është mbajtur asnjë seancë tjetër lidhur me këtë rast.

Kjo aktakuzë, tani, do të përfaqësohet nga prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu, pasi ish-prokurori special, Admir Shala, është zgjedhur kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren.