Dënohet sekretari i KF Llapit që pranoi fajësinë se kishte kanosur gjyqtarin në një ndeshje futbolli

foto nga seanca, 15 maj, kanosja ne ndeshje futbolli
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Maj 15, 2019

Podujevë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, e ka dënuar me gjashtë muaj burg, të akuzuarin për kanosje, Muhamet Rexhepi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja e rastit, Elheme Jashari, të akuzuarit Rexhepi, dënimi me burg mund t’i shndërrohet në dënim me gjobë, dhe atë 600 euro, me mundësi pagese në dy këste mujore.

Ai është obliguar që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit, raporton “Betimi për Drejtësi”

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur pas seancës fillestare të së mërkurës, pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën  ngarkohej.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Ali Ajdini dhe më pas e ka aprovuar edhe gjykatësja Jashari.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 17 prill 2018, Muhamet Rexhepi akuzohet se më 29 shtator 2016, rreth orës 15:50, në fshatin Merdar të Podujevës, përderisa i dëmtuari Mentor Baliu, gjyqtar kryesor i ndeshjes së futbollit KF Llapi – KF Besa, ishte duke hyrë në zhveshtore në zyrën e caktuar për gjyqtar, pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes dhe menjëherë pas tij ka hyrë tani i pandehuri Muhamet Rexhepi, sekretar i klubin e futbollit Llapi, i cili fillimisht e ka fyer dhe më pas kishte marrë një thikë në dorë dhe me të e ka kanosur të dëmtuarin.

Sipas kësaj aktakuze, këtë veprim i akuzuari e kishte kryer në prezencë të zyrtarëve policorë, prej të cilëve më pasj ishte ndaluar.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosje”, nga neni 185 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi