Dënohet për të katërtën herë Inspektori i Komunës së Kamenicës për marrje ryshfeti (Video)

169502591_143746884343591_8466004308756543950_n
Author

Raporton: Teuta GASHI

Prill 6, 2021

Gjilan – Është dënuar për të katërtën herë nga Gjykata Themelore në Gjilan, Inspektori i Komunës së Kamenicës, Sadullah Dërmaku, i cili akuzohej se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ramiz Azizi, të njëjtit i shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë muajsh si dhe dënimin me gjobë në vlerë prej 300 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Ramiz Azizi tha se nëse i akuzuari nuk mund të paguajë dënimin me gjobë, i njëjti do të zëvendësohet në dënim me burgim, ashtu që, një ditë burgu do t’i zëvendësohet me 20 euro.

Të akuzuarin Dërmaku, gjykatësi Azizi e ngarkoi edhe me shpenzimet e procedurës penale, në emër të paushallit gjyqësor si dhe të mbrojtjes së viktimave të krimit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan më 26 qershor 2020, e kishte dënuar Sadullah Dërmakun me burgim efektiv në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë muajsh si dhe me dënim me gjobë, në shumë prej 300 eurove.

Për më tepër, të akuzuarit në fjalë i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej dy vitesh.

Të pakënaqur ndaj këtij vendimi, ankesë në Gjykatën e Apelit, ka bërë prokurori i shtetit për shkak të vendimit mbi dënimin, me propozim  që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet, ashtu që të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i lartë se dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë.

Ankesë ndaj këtij vendimi ka bërë edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Shemsedin Piraj, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënimin, me propozim që Gjykata e Apelit ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe ta lirojë të akuzuarin nga akuza e prokurorisë ose ta anulojë dhe çështja të rikthehet në rigjykim.

Duke u bazuar në pretendimet e palëve, Gjykata e Apelit gjeti se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të parashikuara me dispozitën e nenit 384 paragrafi 1 nënparagrafi 12 të Kodit të Procedurës Penale sepse dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm, në kundërthënie me brendinë e tij, në të nuk janë paraqitur arsyet lidhur me faktet vendimtare, ka kundërthënie të konsiderueshme ndërmjet asaj që paraqitet në arsyetimin e tij lidhur me përmbajtjen e shkresave të çështjes për çka aktgjykimi në fjalë është jo i ligjshëm, dhe si i tillë duhet anuluar.

Prokuroria Themelore në Gjilan më 10 nëntor 2017 ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Sadullah Dërmaku, sepse duke qenë inspektor në Komunën e Kamenicës, i njejti me qëllim që vetes t’i sjell dobi të kundërligjshme pasurore, ka përfituar për vete si person zyrtar në atë mënyrë që në zyrën e të dëmtuarit Besnik Shabani për t’ia lejuar zhvillimin e veprimtarisë “City Taxi”, ka marrë nga ky i fundit 500 euro, të cilat gjatë bastisjes konfiskohen nga ana e policisë.

Në këtë drejtim, i njejti dyshohet se ka kryer veprën penale “marrja e ryshfetit” nga neni 428 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi