Dënohet me tre muaj burgim i akuzuari se shiti veturën për të cilën MPB kishte vendosur ndalesë për mosshitje

Raporton: Flutura Rraqi

Suharekë- Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, të mërkurën, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me tre muaj burgim të akuzuarin Arsim Lumi, për shitjen e veturës, për të cilën Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kishte vendosur ndalesë për mosshitje.

Aktgjykimi në fjalë u shpall nga gjyqtari Lavdim Bajraktari, në mungesë të të akuzuarit Lumi, të dëmtuarit Salih Pirku dhe prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përveç dënimit, i akuzuari Lumi obligohet edhe në pagimin e shpenzimeve të procedurës dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 20 euro si dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit në shumën prej 30 euro, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Të dëmtuarin Salih Pirku, për realizimin e kërkesës pasurore- juridike, gjykata e ka udhëzuar në kontest civil.

Sipas aktit akuzues, nga 20 prill 2017 deri më 21 nëntor 2018, i akuzuari Arsim Lumi, me qëllim që të pengojë pagesën e borxhit kreditor, gjatë ekzekutimit të detyrueshëm, dëmton kreditorin. të dëmtuarin Salih Pirku, ashtu që duke mos mundur që ta regjistrojë automjetin e tij, i njëjti e tjetërson- shet automjetin e markës “Daimler Chrysler”, për të cilin kishte të vendosur ndalesën për regjistrim, përkatësisht për mos-shitje dhe tjetërsim nga Ministria e Punëve të Brendshme- Drejtoria për Regjistrimin e Automjeteve.

Me këtë rast, thuhet se të dëmtuarit Salih Pirku, i shkaktoi dëm material.

Me këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Dëmtimi i të drejtave pronësore të personit tjetër” nga neni 344, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë