DËNOHET ME NJË VIT BURGIM PËR FALSIFIKIM ZYRTARI I DREJTORISË SË ARSIMIT NË PRIZREN
Raporton: Lutfi MORINA
Prizren – Reshit Kushaj zyrtar për arsim i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, është dënuar me një vit burgim efektiv për falsifikim të dokumentit zyrtar, përmes të cilit kishte pretenduar t’ia mundësonte vazhdimin e shkollimit një nxënësi. Krahas këtij dënimi Kushaj obligohet të paguaj edhe 300 euro taksë gjyqësore për shpenzimet e procedurës penale.
Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka shpallur verdiktin e trupit gjykues, sipas të cilit, i akuzuari është fajtor për veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar.
Prokurori i rastit, Sefer Morina, me aktakuzë, e ngarkonte të pandehurin se kishte falsifikuar një diplomë të Shkollës së Mesme për nxënësin Bledar Krasniqi, duke dashur t’ia mundësojë të njëjtit vazhdimin e shkollimit në klasë të 12-të, megjithëse ai kishte përsëritur klasën e 11-të.
Të premten ka filluar dhe përfunduar gjykimi, në të cilin ka dëshmuar pikërisht Bledar Krasniqi, i cili ka thënë se pasi që kishte përsëritur klasën e 11-të, kishte shkuar në zyrën e të pandehurit dhe i kishte kërkuar ndihmë, ndërsa më vonë kishte pranuar një diplomë nga i akuzuari, në të cilën notat ishin kaluese.
Dëshmitari më tej ka shtuar se pasi i kishte treguar prindit të tij atë diplomë, prindi nuk kishte pranuar që një diplomë e tillë të shfrytëzohej nga dëshmitari, për të vazhduar shkollimin, andaj e kishte shqyer dhe e kishte hedhur në lumin “Lumbardh”.
Në anën tjetër i akuzuar ka mohuar akuzën duke thënë se po të donte që t’i ndihmonte dëshmitarit, do të thërriste profesorët dhe do t’u thoshte t’i vendosnin notë kaluese e nuk do të hynte në këto probleme.
Tutje ai ka shtuar se kjo aktakuzë është e ngritur nën ndikimin e politikës, duke shtuar se në asnjë fazë të procedurës, as në polici e as në prokurori nuk i është ofruar dëftesa origjinale me notat kaluese, për të cilën ai dyshohet se e ka përpiluar në mënyrë të paligjshme.
I akuzuari në fjalën e tij përfundimtare duke u ndërlidhur me deklaratën e dëshmitarit, i cili tha se dëftesën origjinale, babi i tij e kishte shqyer dhe e kishte hedhur në lum, ka ngritur dyshime ndaj policisë dhe prokurorisë dhe forenzikës, se si është bërë fotokopje një diplomë e shqyer, në bazë të së cilës fotokopje edhe aktakuza është ngritur.
Prokuroria Themelore në Prizren, në fund të vitit 2015 kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit, Reshit Kushaj, të cilin e akuzon se duke qenë zyrtar i arsimit në Drejtorinë Komunale të Arsmit në Prizren, ka falsifikuar dokumentin zyrtarë, në atë mënyrë që, ka përpiluar, vërtetuar dhe nënshkruar dëftesën e shkollës së mesme për nxënësin Bledar Gashi.