DËNOHET ME NJË VIT BURGIM ME KUSHT DHE GJOBË 500 EURO I AKUZUARI PËR PËRDORIM TË ARMËS DHE LËNDIM TË LEHTË TRUPOR
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Hyzri Topalli i cili akuzohej për dy vepra penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “lëndim i lehtë trupor”, u dënua me një vit burgim me kusht si dhe dënim me gjobë në shumë prej 500 euro. Shpallja e aktgjykimit ndaj tani të dënuarit u bë nga Kryetarja e trupit gjykues Hysnije Gashi, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
I pandehuri Topalli pas pranimit të fajësisë për dy veprat penale që i ngarkoheshin me aktakuzë, me aktgjykimin e shpallur, për veprën penale sipas pikës 1 të aktakuzës “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” u dënua me një vit burgim me kusht si dhe me gjobë në shumë prej 300 euro, ndërsa për veprën e dytë penale “lëndim i lehtë trupor” u dënua me gjobë në shumë prej 200 euro.
Gjykata po ashtu konfiskoi në mënyrë të përhershme armën– pistoletën e tipit M-57 (TT) si dhe obligoj të pandehurin që të paguaj shpenzimet procedurale në shumë prej 30 euro.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në pikën 1 të saj ngarkonte të pandehurin Hyzri Topalli me veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse me datë 5 prill 2015, rreth orës 01:00, në fshatin Greme,në Ferizaj, në mënyrë frikësuese ka përdorur armën – pistoletën e tipit M-57 (TT). I pandehuri kishte përdorur armën në atë mënyrë që para shtëpisë së tij kishte takuar të dëmtuarin në këtë rast së bashku me vajzën e tij, të cilët ishin në veturë dhe me të vërejtur këtë i pandehuri kërkon që t’a ndal veturën, gjuhet në pjesën e përparme të veturës me qëllim që t’a ndal veturën, ku në ato moment i pandehuri në shenjë revolte me qëllim frikësimi gjuan një herë me revole me qëllim që i dëmtuari të ndalet.
Pika 2 e aktakuzës ngarkonte të pandehurin me veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 188 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse në kohën dhe vendin e njëjtë si në dispozitivin e parë të aktakuzës, i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore, të dëmtuarit Burim Buzhala. Veprën penale të lëndimit ai e ka kryer në atë mënyrë i pandehuri pasi ka takuar të dëmtuarin me vajzën e tij, i revoltuar se i dëmtuari nuk e ka ndalur veturën e sulmon fizikisht duke e goditur duke e goditur me grushta në fytyrë, me ç’rast nga goditjet i dëmtuari person lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndet.