Dënohet me një vit burgim i akuzuari për posedim të substancave narkotike

14 mars 2019
Author

Raporton: Fitore SADIKU

Mars 14, 2019

Ferizaj– Gjykata Themelore në Ferizaj, e ka dënuar me një vit burgim si dhe me 300 euro gjobë, të akuzuarin për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substansave”, Elvis Hoxha.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të enjten, nga gjykatësi Sahit Krasniqi, pasi i akuzuari Hoxha e ka pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hoxha, avokati Fatmir Bajraktari, pasi klienti i tij ka pranuar fajësinë ka kërkuar nga gjykata që atij t’i shqiptohet një dënim sa më të butë, pasi sipas tij, ai ishte në gjendjet të vështirë ekonomike.

Gjykatësi Sahit Krasniqi, ka deklaruar se pranimi i fajësisë mbështet në provat dhe faktet e aktakuzës dhe fakteve tjera.

Ndryshe, i akuzuari Hoxha ndodhej në paraburgim që nga 19 shkurt 2019.

Gjithashtu, gjykatësi Krasniqi tha se të akuzuarit Elvis Hoxha do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, si dhe ai obligohet që në emër të paushallit të paguajë shumën prej 30 euro dhe 50  euro për fondin e viktimave të krimeve.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 janar 2019, rreth orës 19:10 në Ferizaj, në rrugën ”Sadik  Tafarshiku”, pas një informacioni përmes rrugëve operative, gjatë një kontrolli nga ana e policisë së Kosovës, sektori antidrogë, tek i pandehuri Elvis Hoxha, ishin gjetur sasi narkotike të llojit marihuanë me peshë 17,54 gramë, e të cilën sasi e kishte pasur në posedim me qëllim që ta shes apo ta shpërndajë, ku edhe e njëjta i konfiskohet nga ana e policisë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substansave psikotrope dhe analoge”, nga neni 273 par.1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi