Gjilan – Agim Bucolli, i akuzuar për veprën penale “rrezikim i trafikut publik” në seancën e mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, e ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me kusht me burgim në kohë zgjatje prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari brenda kësaj periudhe nuk kryen vepër tjetër penale.
Në fjalën përfundimtare, prokurori Shefik Mehmeti i ka propozuar gjykatës që pas pranimit të fajësisë nga i pandehuri dhe mbi bazën e fakteve që gjenden në shkresat e lëndës, i njëjti të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet sanksioni penal i paraparë me ligj.
Ndërsa përfaqësuesja e të dëmtuarit të mitur N.N. tha se nuk i bashkangjitet ndjekjes penale, ndërsa sa i përket kërkesës pasurore juridike ajo tha se nga kompania e sigurimeve i kanë marr 400 euro.
I pandehuri në fjalën përfundimtare tha se është penduar për veprën e kryer dhe e ka lutur trupin gjykues t’i shqiptohet një dënim i butë dhe njëherësh i ka kërkuar falje familjes së të dëmtuarit.
Gjykatësi individual Ramiz Azizi pasi e ka shpallur të mbyllur seancën e së mërkurës, ka sjellur aktgjykimim me të cilin i pandehuri Agim Bucolli për është dënuar me kusht me burgim në kohë zgjatje prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari brenda kësaj periudhe nuk kryen vepër tjetër penale.
Agim Bucolli akuzohet se më 1 qershor 2015, duke bërë tejkalim dhe anashkalim në mënyrë të pa sigurtë, në kundërshtim me ligjin për sigurinë e komunikacionit rrugor, ashtu që me retrovizorin e djathtë e kishte goditur këmbësorin N.N., duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.