Dënohet me kusht njëri i akuzuar për lëndim të lehtë trupor, për tjetrin veçohet procedura

foto per web 10. 07.2019 1
Author

Raporton: Albulena HUÇAJ

Korrik 10, 2019

Dragash – Tre muaj burgim me kusht ka shqiptuar, të mërkurën, Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, ndaj të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Viktor Kryeziu.

Dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet në periudhën verifikuese prej një viti, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale, të kësaj natyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu ai është obliguar që t’i paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë 20 euro për ekspertizën mjekoligjore, 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro të tjera në emër të viktimave të krimit.

Shpalljen e aktgjykimit, gjykatësja Sabaheta Kurteshi, e ka bërë pasi që i akuzuari Kryeziu e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej.

“E pranoj fajësinë dhe më vjen keq për këtë që na ndodhur. Unë kam qenë më pak i përfshir dhe nuk kam dashur të bëhet keq. Veprimet e tilla nuk do t’i përsëris kurrë më në të ardhmen”, ka thënë i akuzuari.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Beqë Shala, pasi që siç ka thënë ai, një veprim i tillë është bërë në mënyrë të vullnetshme dhe në përputhje me provat në të cilat mbështetet aktakuza.

Në këtë rast i akuzuar është edhe Jetmir Kryeziu, por ndaj të të mërkurën është veçuar procedura penale, pasi që ai ka munguar në këtë seancë dhe se sipas gjykatës, ka fakte se ai gjendet jashtë shtetit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 shtator 2017, nga Prokuroria Themelore në Prizren, të pandehurit Viktor dhe Jetmir Kryeziu, akuzohen se kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Ata akuzohen se më 25 qershor 2017, rreth orës 20:30, në fshatin Brezne, i shkaktojnë lëndime të lehta trupore, të dëmtuarit Erolind Kurtaj.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë, që derisa i dëmtuari ishte me automjetin e babait të tij, me të arritur në mes të fshatit, të pandehurit që ishin mbi një motoçikletë, ia bllokojnë rrugën.

Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari u jep sinjale me drita të automjetit, e me pas të pandehurit i afrohen makinës, ia hapin derën dhe e godasin të dëmtuarin, duke e goditur me shqelma në gjoks, me ç’ rast i shkaktojnë lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, në bashkëkryerje, nga neni 188, paragrafi 1 e Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi