Dënohet me kusht i akuzuari që regjistroi automjetin me dokument të falsifikuar

thumbnail_20181010_103958
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Tetor 10, 2018

Istog – Dënim me burgim me kusht prej gjashtë muajsh ka shpallur Gjykata Themelore e Pejës, dega Istog, ndaj të akuzuarit Dragoljub Jevtiq, për veprën penale “legalizim të përmbajtjes së rreme”.

Dënimi me burg me kusht prej gjashtë muajsh nuk do të ekzekutohet ndaj të akuzuarit Jevtiq, nëse në periudhë verifikimi prej një viti ai nuk kryen vepër tjetër penale.

Po ashtu, gjykata ndaj të akuzuarit ka shqiptuar dënim plotësues, respektivisht të akuzuarit i ka konfiskuar certifikatën e regjistrimit të automjetit që ka qenë objekt i veprës penale.

Në seancën e shqyrtimi fillestar të së mërkurës, para se gjykatësi i çështjes Arben Mustafaj të shpall aktgjykimin, i akuzuari Jevtiq e ka pranuar fajësinë për veprën penale e cila i bie në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka shtuar se i vjen keq për rastin e ndodhur dhe se është hera e parë që bie ndesh me ligjin, duke premtuar se në të ardhmen do te jetë me i kujdesshëm.

Prokurorja Lumturije Vuçetaj është pajtuar me pranim e fajësisë nga i pandehuri, duke shtuar se ky akt ka mbështetje në shkresat e lëndës, dhe i ka propozuar gjykatës që pranimi i fajësisë të njëjtit si rrethanë lehtësuese në rastin e shqiptimit të dënimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë të 8 qershorit 2018, i pandehuri Jevtiq akuzohet se më 24 shkurt 2012, në QKRA në Istog, me dije ka përdoruar dokumentin e rrejshëm publik të falsifikuar si origjinal.

Më tej, sipas aktakuzës, me këtë veprim i akuzuari ka vënë në lajthim QRA-në për të vërtetuar një çështje të pavërtetë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ditën kritike i pandehuri ka përdorur dokumentin të lëshuar kinse nga organi paralel në Serbi dhe atë plotësisht të falsifikuar, më çka përmes këtij dokumenti ka arritur që të njëjtën ditë ta regjistrojë automjetin në emër të tij.