Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi se pasi ia kishte vënë flakën batanijes, disa shtëpi ishin përfshirë nga zjarri

Gjykata (3)
Author

Raporton: Egzon HALILI

Gusht 8, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, ka shqiptuar dënim me gjashtë muaj burgim me kusht ndaj të akuzuarit Driton Gashi, për veprën penale “zjarrvënia”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Alban Ajvazi, dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit, nuk do të ekzekutohet, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Gashi, është obliguar që në emër të shpenzimeve procedurale të paguajë shumën prej 30 euro, si dhe shumën prej 30 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.

Sipas gjykatësit Ajvazi, palët e pakënaqura kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së aktgjykimit, ndërsa pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, i akuzuari Gashi, e ka pranuar fajësinë në shqyrtim fillestar të mbajtur më 7 gusht 2019.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 26 prill 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Driton Gashit, për shkak të veprës penale “Zjarrvënia” nga neni 334 par.1 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 14 gusht 2015, në fshatin Plemetin, Komuna e Obiliqit, me qëllim të dëmtimit të pasurisë së personit tjetër, duke përdorur shkrepëse, e ka ndezë një batanije, që ishte varur në objektin, të cilën e dëmtuara e ka përdorur si shtëpi ndihmëse, për të lënë dru, thëngjill dhe gjëra tjera, ku nga batanija e ndezur, përveç objektit të të dëmtuarës Nevzije Bezjak, në flakë është përfshirë edhe objekti-shtëpia e të dëmtuarit Avni Berisha dhe Ragip Kurta, të cilat ishin ngjitur me objektin e të dëmtuarës. /BetimipërDrejtësi