Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi se nuk e ndali veturën kur policët kishin kërkuar

Foto 3
Author

Raporton: Egzon HALILI

Gusht 22, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me katër muaj burgim me kusht të akuzuarin për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, Ligjeron Bytyqi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Sulltane Hoti, të akuzuarit nuk do t’i ekzekutohet dënimi me burgim nëse nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Bytyqi është i obliguar që në emër të shpenzimeve procedurale të paguajnë shumën prej 30 euro.

Pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Sipas gjykatëses Hoti palët e pakënaqura kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditë nga dita e marrjes së kopjes së aktgjykimit.

Ky dënim i shqiptuar nga gjykatësja Hoti, është dhënë pasi i akuzuari Bytyqi e kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten.

“Unë e pranoj fajin i kërkoj falje publikisht gjykatës edhe policëve se nuk e kom bo me qellim pasi që jam kanë i ri e jam tutë prej policëve e luti gjykatën të më shqiptoj një dënim më të butë, pasi që është e hera që jam ra ndesh me ligjin”, tha i akuzuari Bytyqi.

Ky pranim fajësie nuk është kundërshtuar nga prokurorja Merita Shala dhe më pas është aprovuar nga gjykatësja Hoti, me arsyetimin se pranimi ishte vullnetar, pa presion dhe se gjen mbështetje në provat që janë pjesë e shkresave të lëndës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 17 janar 2019, kishte ngritur aktakuzë për veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409 par. 1 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 11 maj 2016, në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë te pompa e derivateve “Kabashi”, derisa zyrtarët policorë ishin duke matur shpejtësinë e veturave me laser, i akuzuari Bytyqi i ka penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrave, ashtu që nuk është ndalur kur ata i kanë dhënë shenjë për ndalim dhe ka vazhduar ta drejtojë automjetin me shpejtësi 130 km/h duke tentuar ta godasë me automjet zyrtarin policor, i cili duke parë rrezikun është larguar nga rruga. /BetimipërDrejtësi