Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi se nga shkarkimi i rërës i ishte rrokullisur kamioni, duke dëmtuar një automjet tjetër

Gjykata44
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Shtator 10, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me katër muaj burgim me kusht të akuzuarin për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, Xhevat Thaçi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja e rastit Sulltane Hoti, ky dënim i shqiptuar nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari është obliguar të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 30 euro në emër të paushallit gjyqësor.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Sipas gjykatëses pala e pakënaqur ndaj këtij vendimi  ka të drejtë ankesës në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së aktgjykimit.

Paraprakisht në seancën e së martës, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, duke shtuar se i gjithë rasti kishte ndodhur si pasojë e një defekti të kamionit të tij.

“Unë kom deklaru edhe përmes ankesës se kom pas kërkesë me qu zall aty, kur e kom qu zallin, aty ka ndodh një defekt në kamion. Unë së pari e kom siguru zonën për mos me pas njerëz, edhe kur e kom qu kiperin, qaj defekti ka shkaktu luhatje edhe mandej u rrokullis, kamioni u kon në vend nuk u kon tu lëviz, ai kombi u kon 17-18 metra larg, po kur u qu rimorkio ajo e bon të veten, unë jom praptu. S’po thom kurgjo, fajtor u kon defekti, unë e pranoj, nuk u kon pakujdesia e jeme”, ka thënë i akuzuari Thaçi.

I akuzuari ka shtuar se pala e dëmtuar është kompensuar nga sigurimi i tij për automjetin e humbur.

Me pranimin e fajësisë është pajtuar edhe prokurori Besart Mustafa pasi që sipas tij, ky pranim është bërë konform dispozitave ligjore, duke i propozuar gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, por me rastin e matjes së dënimin të merren parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe renduese.

Në rrethana të tilla ky pranim është aprovuar nga gjykatësja Sulltane Hoti.

Gjithashtu, në këtë seancë, para se të shpallej aktgjykimi, janë dhënë fjalët përfundimtare të palëve, ashtu që prokurori Mustafa i ka propozuar gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, pasi që sipas tij gjendja faktike është vërtetuar në këtë shqyrtim gjyqësor

Në fjalën e tij përfundimtare, i akuzuari Thaçi ka kërkuar nga gjykata t’i shqiptojë një dënim më të butë, duke shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur, se është hera e parë që bie ndesh me ligjin, si dhe duke premtuar se në të ardhmen do të jetë më i kujdesshëm.

“Unë i kom shpreh keqardhje atij personit të firmës aty për aty. Kom kërku falje. Është hera e parë që ndodhem në gjykatë, dhe njëherë deklaroj se kam kërkuar qe ajo pjesë të lirohet. Lus gjykatën që të ma shqiptoj një dënim më të butë dhe premtoj se në të ardhmen do të jem më i kujdesshëm”, tha i akuzuari.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 24 nëntor 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhevat Thaçit, të cilin e akuzon se më 14 prill 2014, në Fushë Kosovë, me kamionin “Ginaf M 4446 TS”, ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve dhe pasurinë.

Siç përshkruhet në aktakuzë, i akuzuari nga pakujdesia si dhe nga mospërshtatja e veprimeve në terren gjatë kohës sa ka qenë duke shkarkuar masën e rërës, kamioni rrotullohet në anën e djathë dhe bie mbi minibusin “Ford”, i cili ka qenë i parkuar në afërsi, e të cilin e demolon plotësisht, me ç’rast ka rrezikuar pasurinë në përmasa të mëdha, duke i shkaktuar firmës së dëmtuar, dëm të konsiderueshëm material në vlerë prej 9000 euro.

Me këto veprime prokuroria e ngarko të akuzuarin me veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 365 par.6 lidhur me par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi