Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi se me lopatë kishte hedhur ujë e zhavorr në veturën e të dëmtuarës

Lipjan
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Nëntor 8, 2019

 

Lipjan – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, ka shqiptuar dënim me një muaj burgim me kusht, ndaj të akuzuarit për dëmtim apo asgjësim të pasurisë, Agron Mehmeti.

Sipas aktgjykimit të shpallur, të premten, nga gjykatësi i kësaj çështje Avdirrahman Gashi, dënimi prej një muaji burg, nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari brenda një viti nuk kryen ndonjë vepër të re penale.

Gjykatësi Gashi, bëri të ditur se i akuzuari  Mehmeti, është obliguar që për paushallin gjyqësor të paguajë shumën prej 50 euro, si dhe për fondin për kompensimin e viktimave të paguajë shumën prej 30 euro.

I akuzuari Mehmeti, në seancën e mbajtur më 7 nëntor 2019, e kishte pranuar fajësinë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 nëntor 2018, Agron Mehmeti akuzohej se më 7 korrik 2018, në fshatin Babush i Muhaxherëve, në Lipjan, me dashje ka dëmtuar pasurinë e të dëmtuarës Ermira Topalli.

Në aktakuzë thuhet se ai ka vepruar në atë mënyrë, ku derisa e dëmtuara me automjetin e saj ishte duke lëvizur skaj rrugës së fshatit në fjalë, i akuzuari ka hedhur ujin dhe zhavorrin me lopatë, në pjesën e krahut të djathtë të pjesës së përparme, deri tek dera e vozitësit edhe pse e dëmtuara e kishte paralajmëruar me bori që të ndalët, me ç’ rast i kishte shkaktuar dëme material në vlerë të papërcaktuar

E me këto veprime, sipas aktakuzës, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “asgjësim apo dëmtim i pasurisë” nga neni 333, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi