Dënohet me kusht i akuzuari që pranoi se kundërligjshëm shfrytëzoi energjinë elektrike

Albani
Author

Raporton: Alban SHALA

Korrik 10, 2019

Skenderaj – Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, ka shqiptuar dënim me gjashtë muaj burgim me kusht ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale, Musli Ahmeti.

Por, dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën një vjeçare, i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale.

Ndërsa, ai është obliguar që të paguajë shpenzimet në emër të paushallit gjyqësor në shumë prej 10 euro, në emër të procedurës 20 euro, si dhe është detyruar që t’i paguajë të dëmtuarës KEDS, shumën prej 172,12 euro.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur pasi ai paraprakisht e ka pranuar fajësinë vullnetarisht për akuzën me të cilën ngarkohet, duke i shprehur gjykatës keqardhje për rastin qe ka ndodhur

Prokurorja Daniela Batkoviq, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari, pasi sipas saj, një veprim i tillë ka mbështetje në provat e lëndës, dhe është bërë në mënyrë vullnetare.

Më pas, pranimin e fajësisë e ka aprovuar gjykatësi i çështjes Mentor Hajraj.

Fillimisht i akuzuari në seancën fillestare të mbajtur më 30 janar, dhe seancën gjyqësore të mbajtur më 20 maj të këtij viti, ishte deklaruar i pafajshëm.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, e ngritur më 3 dhjetorë 2018, Musli Ahmeti akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 2 dhjetor 2016, në shtëpinë e tij, në fshatin Vojnik të Komunës së Skenderajt, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, në mënyrë të paautorizuar ka shfrytëzuar energjinë elektrike.

Siç thuhet në aktakuzë, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që përmes një kablloje është lidhur ilegalisht në rrjetin elektrik pa autorizimin a furnizuesit të autorizuar.

Sipas aktakuzës, të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm në shumën prej 172,12 euro.

Për këtë, sipas aktakuzës po akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale” nga neni 320  të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi